Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Edi Rama për krijimin e qeverisë së re. Në letrën e tij, Kurti shkruan se ky mandat i tretë i Ramës, është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte që priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.
Kurti tregohet i gatshëm për të bashkëpunuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, ndërsa fton Ramën që të vizitojë Kosovën, për të zhvilluar më pas një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive.
Nga ana e tij, kryeministri Rama i ka kthyer përgjigje homologut të tij kosovar, në lidhje me urimin e këtij të fundit për mandatin e tretë qeverisës, por edhe ftesën publike që i bëri për të vizituar Kosovën.
Përmes një mesazhi në Twitter, Rama theksoi se kur të kthehej nga Asambleja e OKB-së do të vizitonte me shumë kënaqësi Kosovën.
“Faleminderit Albin Kurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, shkruan Rama.