Ceremonia e betimit tek Presidenti Ilir Meta, ka shënjuar dhe fillimin e punës zyrtarisht për qeverinë “Rama” 3. Menjëherë pas betimit tek Presidenti kanë ardhur dhe urimet e para për Kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin qeveritar.
OSBE, ambasadorja e SHBA, ambasadori i BE dhe Komisionieri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë uruar Ramën dhe shprehen se janë të gatshëm që të vijojnë bashkëpunimin me qeverinë.
OSBE, Varhelyi e Soreca urojnë Ramën për mandatin e ri
Pas përfundimit të ceremonisë së betimit të qeverisë “Rama 3” përprara Presidentit, OSBE ka uruar menjëherë qeverinë shqiptare. Në postimin e tyre zyrtar në Facebook, OSBE ka shprehur vazhdimin e mbështetjes në axhendën e përpjekjeve për realizimin e reformave në vend.
“Prezenca e OSBE-së i shpreh urimet më të mira Qeverisë shqiptare me rastin e betimit të saj në detyrë para Presidentit të Republikës. Shqipëria ka një qeveri të re dhe shtysa të reja politike për të çuar përpara agjendën kombëtare dhe për të sjellë ndryshime të mëtejshme. Prezenca është e gatshme të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për realizimin e reformave institucionale dhe presim me padurim të çojmë përpara angazhimet ekzistuese si dhe të nisim të reja si këto, me synim adresimin e nevojave të vendit tonë pritës, në përputhje me Mandatin tonë, në fushat e identifikuara si përparësi nga Qeveria në programin e saj të shpallur së fundmi: përfundimi i reformës në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, modernizimi i sektorit të sigurisë në vend, reforma zgjedhore. Rifillimi i jetës parlamentare me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe programi i shpallur zyrtarisht i Qeverisë së re përbëjnë një bazë solide demokratike për përparimin e mëtejshëm politik dhe ekonomik të vendit. Prezenca ka nderin që të jetë një partner i vendosur në avancimin e agjendës së reformave të Shqipërisë”.
Përveç OSBE, edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi është shprehur entuziast për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.
“Urime Edi Rma dhe qeveria shqiptare për detyrën. Mezi pres të punoj me ju dhe pres që reforma në drejtësi dhe integrimi në BE të ngjiten lart në axhendë. Dialogu konstruktiv politik dhe koordinimi i fortë janë çelës për hyrjen në BE”.
I ngjashëm me urimin e Varhelyi ishte edhe ai i ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
“Ne urojmë Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për mandatin e ri. Ne presim që integrimi në BE dhe të gjitha reformat e lidhura me të, duke përfshirë reformën në drejtësi të jenë primare në axhendën e qeverisë. Koordinimi i fortë inter-institucional është kyç për ardhjen”.
Yuri Kim: SHBA mezi pret që të punojë me Shqipërinë për forcimin e demokracisë
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka uruar Kryeministrin Edi Rama pas betimit tek Presidenti, që shënjon dhe nisjen zyrtare të punës për mandatin e tretë.
Në një postim në mediat sociale, Kim shkruan se SHBA mezi pret që të punojë me Shqipërinë për forcimin e demokracisë.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fillimin zyrtarisht të mandatit të tretë historik. SHBA mezi pret të punojë intensivisht me Shqipërinë për forcimin e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Urime dhe suksese!”, shkruan Kim.