Partia Demokratike ka reaguar pas betimit të qeverisë së re tek Presidenti. Në një reagim në mediat sociale, zëdhënësja e Grupit Parlamentar, Oriola Pampuri, shkruan se qeveria e Ramës është me e korruptuara në Ballkan.
Në reagimin në emër të PD, deputetja shton se në qeveri është ngritur një nepotike dhe bashkëqeverisja po bëhet me krimin kundër interesave të shqiptarëve.
“Propaganda bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan, i darkave te Nusreti dhe hoteleve 700 euro nata, shfaq si risi kodin e etikës që qysh prej 2013-ës përdori për t’u hedhur hi syve, qytetarëve.
Të gjithë e mbajmë mend me sa ‘etikë’ u ngrit sistemi nepotik në qeveri, me sa ‘etikë’ vëllezër e kushërinj ministrash gëzuan paprekshmërinë për t’u kthyer në zota të drogës dhe trafiqeve, duke dëshmuar se fjalët e shumta mbi etikën fshihnin pikërisht mungesën e saj, pasi si atëherë edhe tani, PPP-ja Rama, Doshi, Rakipi, bashkëqeverisjen, e ka me krimin dhe kundër interesave të shqiptarëve”, shkruan Pampuri.