Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që po zhvillohet në New York. Kreu i qeverisë shqiptare përmendi edhe faktin se për herë të parë në histori, Shqipëria do të jetë anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Këtë ngjarje e konsideron shumë të rëndësishme. Ai u shpreh se Shqipëria do t’i sjellë OKB-së pikëpamjen e një vendi të vogël dhe tha se vendi ynë do të ulet në Këshill me një axhendë të qartë.
Duke prezantuar iniciativën e Ballkanit të Hapur, e cilësuar si një “shenjë e zotërimit që kemi për të ulur konfliktet” në rajon, kryeministri foli më gjerë për çështjen e Kosovës.
“Kjo asamble nuk mund të jetë e plotë pa Republikën e Kosovës. Nuk është obsesion, as diçka sapo për të thënë, është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Europës”.
Sipas Ramës, “realiteti na ka treguar ne ballkanasve dhe europianëve se një Kosovë sovrane është realitet prej 13 vjetësh, duke shënuar stabilitet. Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen e ndërsjellët”.
Kryeministri shqiptar foli edhe për vendimin për të mirëpritur refugjatët afganë, “pavarësisht kapaciteteve të limituara, ashtu siç shpëtuam mijëra hebrenj në Luftën e Dytë Botërore, ose gjysmë milion vëllezër kosovar. I detyrohemi historisë tonë si refugjatë deri 30 vjet më parë, në këtë jetë ka një moment kur merr dhe një kur jep”.
Po ashtu, Rama bëri thirrje për bashkëpunim mes vendeve gjatë situatës së pandemisë. Ai falenderoi të gjitha shtetet që kanë ndihmuar vendinë tonë dhe u shpreh se Shqipëria ka vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë. Rama bëri thirrje për barazi në shpërndarjen dhe në qasjen e vaksinave.