Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook e ka quajtur dëshmi të qasjes destabilizuese të Serbisë situatën e përshkallëzuar ditët e fundit në veri.
Ajo u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos e injorojnë tendencën serbe me ndikim nga Rusia për destabilizim në rajon.
“Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuçiçit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi,” – tha Osmani.
Osmani iu drejtua qytetarëve serb të Kosovës që “të refuzojnë skenaret ogurzeza të Serbisë” dhe institucionet “t’u jenë pranë tyre duke u ofruar mbështetje”.
Situata në Kosovë është tensionuar javën e fundit pas vendimit të Kryeministrit Albin Kurti për të vendosur detyrimin për targa të përkohshme për serbët që udhëtojnë me makina në Kosovë. E njëjta politikë aplikohet edhe nga Serbia prej rreth 10 vitesh.
Vendosja e kësaj politike “reciproke” është kundërshtuar nga Serbia, presidenti i së cilës, Vuçiç ka deklaruar se nuk do të vijojë më djalogun deri sa kjo politikë të tërhiqet.
Disa grupe me serbë të Kosovës kanë organizuar së fundmi protesta duke kundërshtuar targat e përkohshme, ndërsa mesnatën e së premtes pati sulme në qendrat e regjistrimit në Zubin Potok dhe Zveçan.