Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim Ervin Nelajn, ish-kreun e Kadastrës së Beratit.
SPAK kishte kërkuar 3 vite burgim për Nelajn, por trupa gjykuese e GJKKO vendosi 1.6 vite burgim ndaj tij.
Organi i akuzës në bazë të përgjimeve ka arritur të zbulojë se Nelaj kërkonte para për të bërë legalizimin e pronave të qytetarëve. Në dosjen e SPAK thuhet se ai në këmbim të parave ka miratuar legalizimin e ndërtimeve pa leje edhe pse ligji nuk ia lejonte.
Gjithë hetimi për Ervin Nelajn nisi pas informacioneve të marra në rrugë operative fillimisht nga Policia e Beratit të cilët vendosën në lëvizje SPAK që e hetoi atë për 9 muaj.
Në një nga përgjimet me një nga vartëset e tij, sipas SPAK ata flasin për një shumë parash që punonjësja duhet t’ia linte shefit në tavolinën e tij pasi “kishin mbaruar punë” me legalizimin e një ndërtimi pa leje.