Dhimbja në familjen Hoxha nuk mund të përshkruhet me fjalë. Të martën ata humbën njeriun e tyre të dashur, në moshë fare të re. Saimir Hoxha, sot Dëshmor i Atdheut, la pas dy fëmijë të vegjël, bashkëshorten e prindërit.
Nënkomisari i Policisë së Lezhës, i cili u vra nga dora e një 21-vjeçari vetëm se e ndaloi për kontroll, përcillet këtë të mërkurë në banesën e fundit.
Në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan homazhe në nder të oficerit të ndjerë. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që përcolli pamjet, teksa i shprehu bashkëshortes e prindërve ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
“Dua të bëj me dije se qeveria ka vendosur një mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen e efektivit. Por me të hyrë në fuqi ligji për fëmijët nën kujdesin e republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170 për qind të pagës së babait të tyre deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë.
Natyrisht që nuk ka fonde dhe mbështetje materiale që kompenson boshllëkun për familjen, por njëkohësisht detyra e shtetit dhe përgjegjësia e republikës është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndjehen të mbështetur deri në fund dhe të inkurajuar për të hyrë në jetë duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin të cilit babai i shërbeu deri në fund të jetës”, tha kryeministri.