Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për afera në projektin e Portit të Durrësit, të prezantuar disa muaj më parë nga kryeministri Edi Rama.
Nga Durrësi ku mban Foltoren e radhës, Berisha tha se Basha ka afera të përbashkëta me Kryeministrin Rama me sipërmarrësin e projektit të Portit të Durrësit.
“Ne jemi vend anëtar i NATO. Portet dhe aeroportet e vendeve anëtare të NATO janë objekte strategjike me të cilat çdo vend është i detyruar të akomodet, të miratohet, të marrë pëlqimin nga aleanca e Atlantikut të Veriut, kështu që mund t’u them ndonëse do të kenë dhimbje të madhe si krye kreu i Meduzës, siç i them unë Edi Ramës, dhe pengu i tij, se i kanë më duket aferat të përbashkëta tek ky sipërmarrësi, por porti do të mbetet port i Perëndimit. Nuk kemi ne, me asgjë s’mund të luajmë ne me identitetin tonë”, deklaroi Berisha kur u pyet se çfarë mendon për projektin e Portit të Durrësit.
Më tej duke u kthyer tek Reforma në Drejtësi, ish-kreu i qeverisë tha se gjyqtarët në Gjykatën e Lartë janë të marrë peng, duke marrë si shembull vendimi e marrë ditën e djeshme për Saimir Tahirin.
“Ndërkohë që bandit një bandit shkrepi armën kundër një polici, në gjykatën e lartë tre gjyqtarë të marrë peng morën një vendim. Po them që janë marrë peng, pasi Vetting-u i tyre mbahet i fshehtë. Trupa gjykuese e Saimir Tahirit u zëvendësua papritur, gjyqtarë ishin ministri Panda dhe dy gjyqtarë të tjerë. Po çfarë ndodhi dje, ata prishën sistemin dhe e kthyer tek gjykata parti sërish. Unë për këtë reformë jam kundër”, shtoi ai.
Në fund Berisha akuzoi Sorosin si lobues të nismës për ndryshimin e kufijve.
“Marrëdhënia ime me Xhorxh Soros është çështje kombëtare, pasi ai me lobimet e tij futi në axhendë ndryshimin e kufijve në Kosovë. Po për këtë nuk mund të jem dakord. Kam kundërshtuar Mini-Shengenin, Ballkanin e Hapur, pasi nuk krijohet paqe në Ballkan”, shtoi Berisha.