Kosova dhe Serbia kanë gjetur mirëkuptim mes tyre për çështjen e targave, por ende nuk është arritur një marrëveshje për zgjidhjen e përfundimtare.
Lajmin e bëri me dije zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit që pati sot në Bruksel me përfaqësues të Serbisë. Ai tha se Kosova ka kërkuar që të hiqen të gjitha procedurat për qytetarët e saj dhe që të mos ketë barriera nga Serbia.
“Natyrisht ne do të preferonim më tepër që të mos jetë asnjë barrierë, rrjedhimisht të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera. Por ky të jetë edhe objektivi i grupit punues të cilin do ta themelojmë e që do të fillojë të takohet nga data 21 tetor. Ne kemi dakordim për të gjitha pikat,” – tha zëvendëskryeministri.
Bislimi tregoi se nga pala serbe është kërkuar që të mos mbulohen targat e serbëve të Kosovës me akronimin KM, që nënkupton Mitrovica e Kosovës. Mirëpo këto targa konsiderohen të paligjshme nga Prishtina zyrtare.
“Nuk mund ta pranojmë këtë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegalë të tabelave,” – theksoi Bislimi.
Miroslav Lajcak, nuk ka përfunduar ende dhe se “negociatat do të vijojnë deri sa të gjendet një zgjidhje për krizën në veri”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për rrjedhojë nuk njeh as akronimin RKS – Republika e Kosovës – në targat zyrtare të saj.
Në vitin 2011, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, u dakordësua që për veturat nga Kosova të aplikoheshin targa të përkohshme kur ato të qarkullonin në Serbi, ndërsa në Kosovë targat serbe të fshiheshin me ngjitëse përsipër.
Me rishikimin e marrëveshjes në vitin 2016, ajo u zgjat deri më 15 shtator 2021, edhe pse aplikimi i saj nuk u konkretizua nga pala kosovare.
Pas kësaj date, qeveria e Albin Kurtit vendosi reciprocitet, duke aplikuar edhe ajo për palën serbe targa të përkohshme në rastin e qarkullimit të tyre në Kosovë.
Kjo politikë trazoi tensione nga serbët që jetojnë në veri, të cilët deri më sot kanë qarkulluar me targa të nxjerra nga institucionet serbe – kryesisht me akronime të komunave serbe.