Rritja e çmimit të bukës njëkohësisht nga një sërë furrash në vend vuri në lëvizje autoritetin e Konkurrencës që nisi një hetim mbi kompanitë e tregtimit të miellit për të verifikuar nëse bëhej fjalë për një koordinim mes tyre në fiksimin e çmimeve.
Por në një mbledhje të zhvilluar këtë të mërkurë, Autoriteti ka vendosur të mos vendosë gjobë ndaj 4 kompanive AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK. Vetëm dy nga pesë anëtarët e komisionit Juliana Latifi dhe Eduard Ypi kanë qenë në favor të vendosjes së gjobës ndërsa 3 të tjerët Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba kanë votuar kundër.
Në këtë mënyrë është rrëzuar propozimi i Sekretariatit për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Me rritjen e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurrencës i paralajmëroi kompanitë për të mos fiksuar çmimet.
Këto të fundit thanë se rritja e çmimit është pasojë e rritjes së çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare.
Shqipëria është përballur me një valë rritjesh çmimesh, veçanërisht në grupin e ushqimeve. Gjatë muajit shtator, çmimi i bukës masive pësoi një rritje prej 10 lekësh pothuajse në të gjithë vendin.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit ka shënuar një rritje vjetore prej 2.4% në gusht, ku çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.6%. Ndërsa çmimet e ushqimeve rriten, çmimet e mallrave të tjera, veçanërisht ato që përbëjnë konsum afatgjatë, si mobilje, kanë mbetur të palëvizura prej kohësh, gjë që sugjeron detyrimin e konsumatorëve të blejnë më pak mallra jo të domosdoshme për të paguar kostot e rritura të jetesës së përditshme.