Politika Qosja: Rama dhe Kurti të merren vesh mes vetes, nuk e pranoj...

Qosja: Rama dhe Kurti të merren vesh mes vetes, nuk e pranoj me qejf kur Shqipëria bën marrëveshje me Serbinë

Rexhep Qosja tha në një intervistë ekskluzive për A2 CNN se kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij në Kosovë, Albin Kurti, duhet të kenë mendime të harmonizuara për disa çështje, jo thjesht ideologjike, por praktike.

“Për çështjet e bisedimeve të Kosovës me Serbinë. Çka ka më të rëndësishme se qëndrimi i Shqipërisë dhe Kosovës ndaj Serbisë të jetë i njëjtë. Çka ka më të rëndësishme që bashkëpunimin me Serbinë, marrëveshjet me Serbinë të mos i bëjë vetëm Shqipëria, ose Kosova, por t’i bëjnë vetëm kur i bëjnë bashkërisht”, tha Qosja.

“Është me rëndësi shumë të madhe që këta dy kryeministra të bashkojnë mendimet e veta dhe të mendojnë në mënyrë të njehsuar, të përbashkët. Çështja e Kosovës nuk e realizon rëndësinë e vet nëse edhe Shqipëria nuk është me të. Për këtë arsye do të thosha këtu para jush, do t’i ftoja, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, që është më i vjetër se ai i Kosovës, Albin Kurti, që të merren vesh mes vetes, t’i harmonizojnë mendimet dhe qëndrimet e veta. Të mendojnë se ata duhet të bëjnë një politikë, jo dy politika kombëtare për Kosovën, Shqipërinë, për popullin shqiptar në përgjithësi”.

Sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur, ku Kosova nuk pranon të bëjë pjesë, Qosja shpreh keqardhje pikërisht për qëndrimet e kundërta që kanë dy shtetet shqiptare. “Një gjë më bën përshtypje. Marrëveshja e kryeministrit të Shqipërisë me kryetarin e Serbisë, bisedimet me të, si të them, disi nuk i pranoj me qejf. E dimë çka ka ndodh në Kosovë, çka ka bërë regjimi i Sllobodan Millosheviçit në Kosovë, dhe dua të them se ato nuk harrohen lehtë. Është mirë t’i harrojmë të këqijat, të çlirohemi, por nuk harrohen lehtë. Nuk them se do të hakmerremi, por them se s’do të harrohen”, tha ai.