Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaroi paraditen e së premtes se do të mbështesë ish-kryeministrin Berisha në “Foltoren” e tij.
Sipas Spahos, mbështetja për iniciativën e Sali Berishës nuk vjen për emocionin apo idetë dhe frymën e lirisë, por për demokratët që duhet të ndihen të përfaqësuar.
Deputeti përmendi gjendjen e keqe në të cilën është zhytur Partia Demokratike duke bërë me faj drejtuesit. Dëgjimi i anëtarësisë, është mënyra e vetme sipas tij me të cilën mund të gjendet shpëtimi.
“Kemi nevojë për një platformë të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren,” – shkroi Spaho në faqen e tij në Facebook ndërsa theksoi rëndësinë e lidershipit në këtë situatë.
Deputeti bëri me dije se për të marrë përsëri pushtetin Partia Demokratike duhet të “përmirësojë thellësisht organizimin e saj dhe marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë.
Prej dy javësh ish-kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka nisur takimet e tij në rrethe me mbështetësit ku kërkon ristrukturimin e PD-së dhe largimin e kryetarit aktual Lulzim Basha.