Njerëzit mund të marrin një vaksinë COVID-19 dhe atë të gripit në të njëjtën kohë pasi nuk ndikon negativisht në përgjigjen imune të asnjërës prej tyre.
Stina e dimrit mund të sjellë një rritje të rasteve të gripit pasi lehtësohen kufizimet e COVID-19 në shumë shtete të botës.
Studimi, i realizuar nga Universiteti i Bristol, zbuloi se efektet anësore të raportuara ishin zakonisht të pakta.
“Ky është një hap vërtet pozitiv që mund të nënkuptojë më pak vizita për t’u vaksinuar për ata që duhet të bëjnë të dyja vaksinat”, tha kryetarja e grupit studimor, Rajeka Lazarus.
“Rezultatet e këtij studimi i janë paraqitur Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin për shqyrtimin e tyre dhe do të ndihmojnë hartuesit e politikave në planifikimin e së ardhmes të këtyre programeve të rëndësishme të vaksinimit”, ka vijuar më tej ajo.
Vaksinat u bënë në të njëjtën ditë, në krahë të kundërt. 97% e pjesëmarrësve thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin dy vaksina në të njëjtën kohë në të ardhmen.
Studimi u krye tek 679 vullnetarë në 12 vende në Angli dhe Uells, dhe rezultatet e plota do të botohen në revistën shkencore Lancet.