Aktualitet Shqipëria nuk rrezikon rikthim të vizave, të paktën për tani

Shqipëria nuk rrezikon rikthim të vizave, të paktën për tani

Shqipëria nuk rrezikon rikthim të vizave, të paktën për tani. Në një përgjigje pas interesimit të A2 CNN, zyra për shtyp e Komisionit Europian tha: “Pozicioni i Komisionit Evropian është shprehur shumë qartë në raportin që botuam më 4 gusht. Raporti përfundon se të gjitha vendet vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, raporti nxjerr në pah fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme nga secili vend.”

Megjithatë, Komisioni Europian, në reagim njofton se Shqipëria, si dhe vendet e tjera që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave do mbahen në monitorim.

“Komisioni do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Përtej kësaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë për ndonjë dokument (të supozuar) të rrjedhur ose për pozicionet e shteteve anëtare gjatë diskutimeve të nivelit teknik në Këshill.”

Diskutimet mbi mundësinë e rikthimit të vizave erdhën pas publikimit të një raporti të Këshillit të Bashkimit Europian, publikuar më 27 shtator ku flitej mbi një shqetësim në rritje të abuzimeve me lëvizjen e lirë afatshkurtër në zonën Shengen nga shtetet e Partneritetit të Lindjes dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Burimi: A2CNN