Numri i vdekjeve në SHBA nga COVID-19 ka arritur në 700,000, ndërsa vendi përballet me rritje të infeksioneve dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti Delta dhe refuzimi i miliona amerikanëve për t’u vaksinuar.
100 mijë viktimat e fundit u regjistruan vetëm në 3 muaj e gjysmë dhe ndodhën në një kohë kur vaksinat ishin në dispozicion për personat mbi moshën 12 vjeç.
Kjo është shumë zhgënjyese për mjekët, zyrtarët e shëndetit publik dhe publikun amerikan, sepse vaksinimet parandalojnë në pjesën më të madhe vdekjet, shtrimet në spital dhe sëmundjet e rënda.
Florida ka pësuar deri tani numrin më të madh të vdekjeve nga çdo shtet gjatë kësaj periudhe, me 17,000 banorë të saj që kanë humbur jetën që nga mesi i qershorit. Teksasi ishte i dyti me 13,000 vdekje. Të dy shtetet përbëjnë 15% të popullsisë së vendit, por kanë pasur më shumë se 30% të vdekjeve në shkallë vendi që pasi numri i vdekjeve kapërceu shifrën 600,000.
Sipas të dhënave 70,000 nga 100,000 vdekjet e fundit ishin mes të pavaksinuarve. Dhe nga ata të vaksinuar që vdiqën me infeksione të rënda, shumica e morën virusin nga një person i pavaksinuar.
Pothuajse 65% e amerikanëve kanë bërë të paktën një dozë vaksine, ndërsa rreth 56% janë plotësisht të vaksinuar, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Por miliona njerëz ose refuzojnë ose nuk janë ende të bindur për shkak të frikës, disinformimeve dhe bindjeve politike. Punonjësit e kujdesit shëndetësor raportojnë se janë kërcënuar nga pacientë dhe anëtarët e komunitetit që nuk besojnë se COVID-19 është e vërtetë.