Bota Çfarë po ndodh me krijimin e qeverisë së re në Gjermani

Çfarë po ndodh me krijimin e qeverisë së re në Gjermani

Partitë kryesore politike të Gjermanisë nuk bënë publike bisedimet e tyre të së dielës, pas turbullimit që shkaktuan bisedimet paraprake për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, i cili do të duhet të përfshijë tre prej tyre.

Përkundër faktit se social-demokratët (SPD) fituan pjesën më të madhe të votave, mund të jenë jo vetëm ata që mund të krijojnë qeverinë me të gjelbrit dhe Demokratët e Lirë pro biznesit (FDP), pasi këtë të drejtë mund ta kenë edhe demo-kristianët e CDU-së, të cilët dolën të dytët në zgjedhjet e 26 shtatorit.

Takimet vijnë një javë pas zgjedhjeve, ku SPD doli fituese dhe blloku CDU/CSU mori rezultatin më të keq ndonjëherë.

Bisedimet e SPD/FDP filluan të dielën, ashtu siç ishte planifikuar, me delegacionet e drejtuar nga kandidatët për kancelar, respektivisht Olaf Scholz i SPD-së dhe Christian Lindner i FDP-së.

Në fund të takimit ata thanë se ”bisedimet ishin konstruktive dhe të sakta”.

Sekretari i përgjithshëm i FDP-së, Volker Wissing, tha se mbetet e qartë se të dy palët kanë dallime në fusha të caktuara, por shtoi se partia nuk do të marrë një vendim derisa të kenë përfunduar të gjitha bisedimet e saj dypalëshe.

Zyrtarët e SPD-së u takuan edhe me të gjelbrit, të cilët u përfaqësuan nga drejtuesit e partisë, Annalena Baerbock dhe Robert Habeck.

Të dyja palët dolën nga bisedimet duke treguar shenja optimizmi.

“Dëshira jonë do të ishte që të kemi bisedime tripalëshe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha sekretari i përgjithshëm i SPD-së Lars Klingbeil pas bisedimeve.

Habeck tha se kishte vënë re një “gatishmëri” në mesin e SPD. “Mbi të gjitha, ne jemi në kërkim të dinamikës”, theksoi ai.

Ndërkohë, anëtarët e bllokut CDU/CSU patën bisedime mes tyre para se të takoheshin me zyrtarët e FDP-së.

Më pas, Wissing tregoi se bisedimet shkuan mirë. “Ne patëm një bisedë konstruktive, por patëm edhe disa pengesa”, tha ai, pas tre orë bisedimesh.

Sidoqoftë, ai nuk kishte asnjë koment kur u pyet nëse mendonte se blloku konservator ishte në gjendje të formonte një qeveri.

Zyrtarët e CDU/CSU-së gjithashtu folën shumë për takimin e tyre me FDP-në.

Të dy partitë drejtuan një qeveri koalicioni nën kancelaren Angela Merkel nga 2009-2013. Udhëheqja e të gjelbërve do të takohet me CDU/CSU të martën.

Dy partitë më të vogla, të cilat kanë axhenda politike shumë të ndryshme, biseduan të premten dhe kanë sinjalizuar një aftësi për të arritur një formë konsensusi në një koalicion më të madh.

Mundësia e negociatave të zgjatura të koalicionit po ngre shqetësime në Gjermani.

Burkhard Jung, presidenti i Shoqatës së Qyteteve Gjermane, tha në komentet për gazetën ”Rheinische Post” se “ne nuk mund të kemi negociata të gjata. Ne duam bisedime të shpejta të koalicionit”.