Një mirësjellje të tepruar mund ta përshkruajmë atë që ndodhi mes Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit të Holandës në Samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Slloveni.
Rama dhe Mark Rutte u përshëndetën miqësisht teksa po hynin në godinën ku po mbahet samiti. Por të dy nisën të “ziheshin” se kush do të hynte i pari. Ishte kreu i qeverisë shqiptare ai që lejoi Kryeministrin Rutte të kalonte i pari, por ky i fundit refuzoi duke thënë: “Ju i pari. Jo, jo, ju i pari”.
E në këtë moment dy Kryeministrat e ekzagjeruan me mirësjelljen, aq sa filluan të ecnin mbrapsht pasi askush prej tyre nuk pranonte të hynte i pari, veprim ky që shkaktoi edhe të qeshura të gazetarëve e reporterëve që ndjekin punimet e samitit.
Në fund, kryeministri holandez “u dorëzua” dhe pranoi të kalonte i pari për të bërë fotografinë zyrtare me mikpritësin e samitit.