Policia e Shkodrës ka vënë në pranga këtë të enjte drejtuesin e një grupi kriminal, person me rrezikshmëri shoqërore, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gjatë momentit të arrestimit të Luverdo Kolës, për të cilin policia thotë se është drejtuesi i një grupi kriminal, i është gjetur dhe një armë zjarri pistoletë që e mbante me vete.
“Operacioni i koduar “Alavana“, u zhvillua nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, forcat “Shqiponja” dhe ato Operacionale, ku janë sekuestruar edhe 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim Luverdo Kola, 30 vjeç, banues në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 23.09.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Më datë 01.09.2020, ky shtetas ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. L.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e njërit prej bashkëpunëtorëve, shtetasit Gezim (Gjin) Çakaj 52 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i shpallur në kërkim, pasi me vendimin e datës 24.09.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër është dënuar me 4 vite burgim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në momentin që janë afruar shërbimet policore, duke përfituar nga terreni i pyllëzuar, është larguar.
Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në vendin e quajtur “Alavana”, fshati Xhan, në banesën e shtetasit Gezim (Gjin) Çakaj. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.
Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, si dhe të personit të shpallur në kërkim.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.