Prokurorët dyshojnë se kancelari Kurz dhe të besuarit e tij e kanë blerë rrugën drejt Kancelarisë me sondazhe të manipuluara të opinionit dhe raporte të paguara të mediave.
Vazhdimi i koalicionit me Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është i mundur vetëm pa Sebastian Kurzin, përballë akuzave serioze për korrupsion, tha në Vjenë kryetarja e Grupit parlamentar të Të Gjelbërve Maurer. Veç kësaj, të Gjelbrit duan të konsultohen për situatën në bisedime me palët e tjera, në mënyrë që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza e qeverisë dhe të sigurojnë “stabilitet dhe sqarim”. Këtë e bëri të ditur kreu i partisë dhe zëvendëskancelari Kogler.
Për të pasur shumicën, të Gjelbërve nuk do t’u duheshin vetëm votat e Partisë socialdemokrate SPÖ dhe liberalëve të NEOS, por edhe ato të FPÖ-së të krahut të djathtë. Të katër partitë nuk përpiqen për zgjedhje të reja, kundër Kurz-it që ka popullaritet. Të martën e ardhshme, opozita synon të paraqesë një mocion votëbesimi kundër Kurz-it në një sesion të veçantë të parlamentit. Partia e tij, ÖVP deri tani e mbështet Kurz-in.
Politikani i SPÖ, Hannes Swoboda e përshkroi si një situatë tragjike që Austria ishte përsëri në një krizë qeveritare. Nën Kurzin, është prishur tashmë një koalicion me FPÖ dhe një me SPÖ, tani ai po prish atë me të Gjelbrit, tha Swoboda në radion gjermane Deutschlandfunk. Ai e përshkroi nepotizmin si një fenomen të politikës austriake.
Ndërkohë, njerëzit po flasin për “sistemin Kurz”, tha Swoboda. Ai ka krijuar një rrjet për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ngritur në pozitë. Postet jepen gjithnjë e më shpesh sipas interesave politike partiake. Kurzi megjithatë e kishte tepruar me rrjetet e tij personale, vazhdoi Swoboda. Kjo është veçanërisht e rrezikshme, sepse Parlamenti nuk mund ta kontrollojë më këtë.
Reagon Kurz
“Unë do të mbrohem nga akuzat e rreme dhe pikërisht sepse janë të rreme më japin forcën për të mbrojtur veten dhe për të ecur përpara, deklaroi kancelari austriak Sebastian Kurz për median.
“Është e drejtë që drejtësia të hetojë këdo, por prezumimi i pafajësisë, të paktën deri dje, është një shtyllë e demokracisë sonë”, shtoi Kurz.
“OEVP do të përpiqet të sigurojë stabilitet në vend. Deri tani ne kemi qeverisur mirë me të gjelbrit, edhe gjatë pandemisë, por nëse ata tani besojnë se duan të kërkojnë një shumicë të re, ata janë të lirë”, shtoi ai.
Dyshim për shpërdorim, korrupsion dhe ryshfet
Të mërkurën në Kancelarinë austriake dhe në selinë e ÖVP pati kontrolle. Prokurorët dyshojnë se Sebastian Kurz dhe të besuarit e tij e kanë blerë rrugën e tyre drejt Kancelarisë me sondazhe të manipuluara të opinionit dhe raporte të paguara të mediave. Projekti i propagandës besohet se është paguar në mënyrë të paligjshme me para të Ministrisë së Financave. Në vendimin për kontroll të prokurorit, përmbajtja prej 104 faqesh e të cilit u botua plotësisht nga revista e lajmeve “Profil”, Sebastian Kurz përmendet si “personi qendror” në hetimet për shpërdorim, korrupsion dhe ryshfet: të gjitha veprimet janë kryer “në radhë të parë në interesin e tij”.