Babë e bir janë dërguar të plagosur në spitalin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune. 60-vjeçari Vilson Dautaj dhe 31-vjeçari Fatjon Dautaj janë dëmtuar me thikë, por mësohet se ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se babë e bir janë konfliktuar me tre persona, ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur një sasi kanabisi.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stanit të familjes Dautaj. Mirëpo hajdutët janë diktuar nga babai e djali dhe kanë hasur në rezistencën e tyre. Për pasojë Vilson dhe Fatjon Dautaj janë dëmtuar.
Gjatë kontrollit në zonë, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme bimësh narkotike. Bëhet fjalë për 180 rrënjë kanabis sativa, të cilat pasi janë zbuluar janë asgjesuar duke u djegur. Dyshohet se lënda narkotike është kultivuar nga Vilson dhe Fatjon Dautaj. Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dy armë zjarri, një automatik dhe një pushkë, të cilat u sekuestruan nga autoritetet. Policia njoftoi
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sigurimin e çdo prove që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes. Po ashtu po vijon puna për kapjen e autorëve.