Duhej një fitore ndaj Hungarisë për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit Katar 2022 dhe e bëmë sërish falë Armando Brojës. Ashtu si në “Elbasan Arena”, edhe në Budapest erdhi nga stoli për të shënuar një gol spektakolar.
Shqipëria e Rejës bind sërish dhe rregullon bilancin ndaj një Hungarie, që na kishte mposhtur gjithmonë, por atëherë nuk luante Armando Broja, i cili ka shënuar dy golat e vetëm në histori, në portën hungareze, duke na dhënë një tjetër 3-pikësh, që na mban në vendin e dytë me 15 pikë.
Kuqezinjtë bëjnë një ndeshje të mirë në “Puscas Arena” dhe i shkuan shumë pranë golit me Myrto Uzunin dy herë dhe Klaus Gjasulën në pjesën e dytë, por pa rezultat deri kur trajneri Reja vendos të freskojë sulmin me aktivizimin e Manajt dhe Brojës.
Pikërisht sulmuesi i Southamptonit në Premier League bën gjithçka në mënyrë perfekte në minutën e 80′, duke dribluar këdo që gjen përpara dhe duke dërguar topin në rrjetë, nga një kënd gati-gati i pamundur.
Në një mbrëmje mjaft të rëndësishme, që u komplikua nga dëmtimi i Berat Gjimshitit, kuqezinjtë tregojnë sërish vlerat në fushë dhe marrin një fitore historike, që do të marrë edhe më shumë kuptim, nëse shoqërohet me 3 pikë të tjera ndaj Polonisë të martën në “Air Albania”.
Me këtë rezultat, kuqezinjtë ruajnë vendin e dytë në Grupin I me 15 pikë, ndërsa Anglia kryeson me 19 pikë.