Extra Albano Bogdo i jep fund romancës me eksperten e marketingut, 6 muaj...

Albano Bogdo i jep fund romancës me eksperten e marketingut, 6 muaj pasi i propozoi për martesë

Aktori i njohur i humorit, Albano Bogdo, vetëm gjashtë muaj pasi i propozoi martesë partneres së tij duket se ka stopuar romancën e bukur, për të cilën foli publikisht. Albano ka fshirë fotot dhe në profilin e tij ka mbetur vetëm një foto e vjetër e postuar në muajin prill.

Burime pranë çiftit treguan se nuk mund të bëhet fjalë për një ndarje, por një reflektim që lidhen me marrëdhënien e çiftit që nuk duket e thjeshtë kur është mes një artisti dhe një eksperteje në marketing.

Gjashtë muaj më parë si rrallëherë Albano bëri një rrëfim serioz për jetën e tij private dhe statusin e ri. I ftuar në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”, ku u pyet nga fëmijët për shumë aspekte të jetës së tij, ai vendosi të zbulonte disa detaje sekrete nga jeta e tij.

Në një rrëfim ndryshe, aktori i humorit tregoi historinë e veçantë të njohjes me partneren e tij, Jonida Sanço, eksperten në komunikim dhe marketing.

“Partneren time ma prezantoi motra e saj, e cila ishte shoqja ime e ngushtë. Ajo, duke ditur shijet e mia për vajzat, më prezantoi motrën, të cilën e propozova më vonë”.

Po si i kishte propozuar partneres për martesë? Albano tha se iu desh të shtirej sikur i kishte harruar ditëlindjen, pasi kishte një plan surprizë dhe shumë të bukur për të dashurën.

“Ishte ditëlindja e saj dhe unë qëllimisht nuk i bërë asnjë surprizë, as kur vajti ora 12:00, nuk isha në shtëpi. Bëra sikur e harrova, sinqerisht ia prisha ditëlindjen! Të nesërmen, dolëm për darkë bashkë me mamatë tona. Kur u kthyem në shtëpi, unë po i kërkoja falje që nuk ia mbajta mend ditëlindjen dhe i thashë: ‘Do të të ulem në gjunjë që të më falësh?’. ‘Po, ulu dhe më kërko falje’, më tha ajo. U ula në gjunjë dhe nxora unazën. Ajo e pa dhe pyeti: ‘Po kjo ç’është?’. Dhurata për ditëlindjen është dhurata ime për të gjithë jetën…”, tregoi Albano.

Ndër të tjera ai u shpreh se jetonte me Jonidën në shtëpinë e prindërve të saj dhe se jeta e tij tashmë ishte stabilizuar. Para tre vitesh aktori i njohur i humorit zbuloi një anë të trishtë të jetës së tij, që në atë kohë ia faturonte famës, por që tani nuk mendon kështu.

I ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, aktori nga Saranda rrëfeu varësinë e tij nga alkooli dhe problemet me ankthin një problem që ka ndikuar jo pak dhe në jetën e tij private.

“Për rreth 3 vjet e gjysmë jam kuruar dhe vazhdoj të kurohem se më zë ankthi. Unë, që t’i bija shkurt, zgjodha pijen dhe jetën e shfrenuar. Pija dy shishe alkool në ditë dhe kjo zgjati afro një vit e gjysmë-dy vjet. Tani më duket se më ka zënë mallkimi i 300-400 njerëzve që kam lënduar!”, u shpreh Albano, i cili shtoi se për shkak të këtyre problemeve, u nda edhe nga e fejuara para se të lidhej me Jonidën.

Megjithatë, siç u shpreh Bogdo, që prej qershorit të 2016-ës, ai nuk ka konsumuar më alkool dhe për përmirësimin e tij, ai ka falenderuar publikisht edhe mjekët që e trajtuan. Në atë kohë, aktori i njohur u shpreh se shkak për gjendjen e tij ishte bërë suksesi i papritur, por në intervistën e fundit u shpreh se në fakt e përdori “famën” si alibi për të mbuluar problemin e tij.

Albano Bogdo njihet për rolet e tij në spektakle si: “Apartamenti 2Xl”, “Duplex”, “Klanifornia” etj. Bogdo është diplomuar për aktrim në Akademinë e Arteve në vitin 2009. Komediani po bën shumë bujë me intervistat që u bën politikanëve si Gilbert Fevziu, mes të cilave bëri përshtypje në mënyrën spontane se si intervistoi Kryeministrin, Edi Rama.

Aktori shumë i dashur për publikun shpesh bën deklarata të forta në rrjetet sociale. Pak kohë më parë i dedikoi një status nënës së tij, nëpërmjet të cilit shprehu gjithë zhgënjimin e tij. Ndryshe nga sa jemi mësuar, me dedikime falënderuese ndaj nënës e prindërve, Albano duket se kishte një tjetër mesazh. Ai thoshte se e urren nënën e tij.

“E urrej mamanë time. Më shtyu të lexoja libra gjithë jetën dhe sot ata libra nuk më hyjnë në punë. Më mësoi të jem i ndershëm dhe mbeta fukara. Më tha, që kur të më jepet mundësia të ndihmoj dikë, mos t’i kërkoj gjë si shpërblim. Më urdhëroi që deri sa të vdisja, kur të shihja dikë të moshuar në këmbë, t’i liroja vendin. Më përgatiti të jetoja në një botë që nuk ekziston më. Prind i paaftë. Më katandisi njeri të mirë dhe më lëshoi në një botë me ujqër që hanë fëmijët për lekë,”-shkruante Bogdo në “Facebook”.

I përballur me divorcin e prindërve që në moshë të vogël, aktori ka treguar se ka kaluar shumë sfida në jetë. Atij i duhej të ishte shtylla e shtëpisë dhe për këtë ka kryer punë nga më të rëndomtat për të siguruar të ardhura për familjen.

“Unë vij nga një familje e vuajtur dhe nuk e kam patur luksin të bëj shumë gabime. E kam vuajtur divorcin e prindërve shpirtërisht por s’e kam lënë të më ndikojë në jetë. Mblodha mendjen, pavarësisht se kam qenë i vogël, 12 vjeç. Në këto raste, kur të divorcohen prindërit pret që të të mbështesin. Dhe të gjithë më thonin je kollona e shtëpisë, je burri i shtëpisë. Unë tri herë kisha dalë nga shtëpia. Kam qenë nga këtë fëmijët humbameno, më rrihnin të gjithë. Fillova papritur dola punoja, ndihmës banakier, ndihmës kamarier. Shisja banane, akullore, nga këto punët e rëndomta që mund të gjesh”, është shprehur Albano Bogdo.

Ndërsa në lidhje me hyrjen në botën e televizionit si aktor humori, ai ka treguar se regjisori Altin Basha, pas disa audicioneve në “Portokalli”, i tha se nuk bënte për atë punë, por nuk vonoi dhe me një audicion të vetëm në “Apartamenti 2 XL”, ia mbushi mendjen Turjan Hyskës se ishte spontan dhe i lindur për skenën.

/Panoramaplus.al