Grupit parlamentar i Partisë Socialiste ka rënë dakord për ngritjen e komisioneve hetimore atë të inceneratorëve dhe atë të 25 prillit të kërkuar nga Partia Demokratike, por nuk ka rënë dakord për komisionin hetimor për çështjen Bechetti.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla sqaroi se ky për këtë të fundit, ngritja e komisionit hetimor bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese dhe dëmton interesat e Shqipërisë.
“Sa i përket çështjes së ngritjes së komisioneve hetimore, nga PD kanë ardhur 3 kërkesa; njëra bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pakica ka të drejtë të ngrejë komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me kushtetutën dhe kjo bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese ligjore që po zhvillon Shqipëria. Në këtë fazë të proceseve gjyqësore të arbitrazhit interesi më i madh është i Shqipërisë, ne nuk mund t’i bëjmë shërbim një individi para Shqipërisë dhe Shqipëria po mbron interesat e saj. Ne do ta ngremë këtë çështje në një moment të dytë. Unë do mbaj qëndrimin e plotë të mazhorancës për këtë çështje dhe investimi i Kuvendit që është sa i të majtës dhe të djathtës mund të vendoste në pikëpyetje ecurinë e procesit gjyqësor të arbitrazhit dhe GJEDNJ, dhe ky komision mund ta dëmtonte Shqipërinë”, tha Balla.
Ai njoftoi gjithashtu se do të votohet edhe kandidatura e presidentit për Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa do të hidhen poshtë disa nga dekretet e presidentit, si ai për buxhetin 2021.
“Kemi mbajtur qëndrimin tonë për disa dekrete të presidentit. Do t’i rrëzojmë dekretet për buxhetet e shtetit 2021 ku na është dashur të bëjmë ndryshime për shkak të pandemisë dhe problematikave të tjera”, shtoi Balla.
Në mbledhjen e grupit, socialistët kanë kërkuar të komunikojnë me bazën për rritjen e çmimeve bukës dhe naftës, të sqarohet baza dhe t’u garantohet që nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë që të mos preket konsumatori familjar.