Ministri i Jashtëm i Afganistanit, Amir Khan Muttaqi, i cili është pjesë e qeverisë së talebanëve i bën thirrje botës që të kenë raporte të mira dhe t’i ndihmojnë pasi destabiliteti në vend mund të shkaktojë largimin e qytetarëve drejt Europës.
Ministri i shmanget zotimit për të siguruar arsimimin e vajzave pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve.
“Si një vend mysliman, Afganistani dëshiron të ketë marrëdhënie të ngushta dhe pozitive me vendet dhe kombet e botës islame. Ne gjithashtu duam lidhje unike me botën perëndimore dhe vendet e Gjirit. Nëse nuk ka stabilitet në Afganistan, mendoni se një fluks i madh emigrantësh do të vërshojnë në Evropë”, u shpreh Amir Khan Muttaqi, ministër i Jashtëm i Afganistanit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se talebanët kishin shkelur premtimet për garantimin e të drejtave për gratë dhe vajzat dhe se nuk kishte asnjë mënyrë që ekonomia të rimëkëmbej nëse gratë ndalohen të punojnë.
Gjatë takimit me zyrtarët e BE në Doha, ministri i bëri thirrje SHBA të heqin bllokun mbi më shumë se 9 miliardë dollarë të rezervave të bankës qendrore afgane.
Ai shtoi se forcat talebanë kanë kontroll të plotë të vendit dhe janë në gjendje të kontrollojnë kërcënimin nga militantët e Shtetit Islamik, të cilët kanë marrë përsipër një seri sulmesh vdekjeprurëse.