Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha këtë të enjte se nuk pështynte mbi 16 vitet e bashkëpunimi dhe partneritetit me Sali Berishën. Komentet i bëri gjatë replikave që pati me kryeministrin Edi Rama në sallën e Kuvendit.
“Padiskutim jemi të pakrahasueshëm. Më i keqi dhe më hajduti i qeverisjes tonë, i cili meqë ra fjala s’ke arritur të çosh asnjë para prokurorisë nuk krahasohet me më të mirin tuaj. Megjithatë ne e kemi nisur dhe do ta çojmë në fund pastrimin tonë. Unë nuk pështyj mbi 16 vite bashkëpunimi dhe partneriteti me Sali Berishën. Nuk pështyj. Si kundër nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e procesit që kaq shumë të pëlqen ty, të eksiton ndoshta në çdo sens, të përbaltjes, të llumit, të gënjeshtrave, të rrenave. Sigurisht vetëdijësohem për gabimet tona, për këto 16 vite dhe për këto 30 vite si PD.
“Pyes veten time, çfarë duhet të bëj që PD të bëhet sërish valvula dhe zemra e shpresës, jo thjesht për demokratët, por të paktën për ata 63 përqind të shqiptarëve që nga votuan në 92-n dhe e di që ka një rrugë për të shkuar atje dhe ajo rrugë ka nisur, fatkeqësisht për ty ajo rrugë të merr dhe ty tatëposhtë. Dhe nuk ka fuqi mbi tokë të të ndalë. Me sjelljen blasfemuese dhe mungesën totale të dijes e jo të respektit që ke për fenë, nuk ka Zot që të shpëton”, tha Basha.