Kosova reagon pas deklaratës së kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Reagim më të ashpër në drejtim të kreut të diplomacisë evropiane Josep Borrell bëri eurodeputetja gjermane, Viola Von Cramon,
Stuhi kritikash ndaj shefi të diplomacisë europiane, Josep Borrel, për reagimin ndaj trazirave që përfshinë të mërkurën veriun e Kosovën. Në një deklaratë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, e quajti të njëanshëm dhe të paakordinuar aksionin e policisë së Kosovës kundër mallrave kontrabandë në Mitrovicën e Veriut.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, tha një ditë më parë Josep Borrell.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon ishte mes të parave që reagoi ndaj deklaratës së Borrell. Kritikat sipas saj, duhej t’i drejtoheshin shteteve ku nuk po implementohet sundimi i ligjit. Von Cramon tha se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, tha Viola Von Cramon.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tha se BE-ja po tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Svelça, theksoi se nuk kanë pse të koordinohen me askënd për aksione të tilla kundër kontrabandës, të cilat siç tha zhvillohen çdo ditë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj për aksionin e policisë kundër kontrabandës me mallra, tha se “krimi s’ka etnitet dhe se kushdo që e kundërshton aksionin e policisë është në anën e krimit të organizuar”. “Lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe duhet të jetë e pakompromis. Policia e Kosovës dhe Autoritetet e Doganave ndërmorën një aksion legjitim kundër grupeve të organizuara kriminale të përfshira në kontrabandë, në disa lokacione në Republikën e Kosovës. Krimi s’ka etnitet dhe duke e lidhur në mënyrë false aksionin e sotëm me grupe etnike është thellësisht e papërgjegjshme dhe do të shërbejë vetëm për rritjen e tensioneve. Kushdo që është kundër këtij aksioni është në anën e krimit të organizuar dhe është kundër vlerave të sundimit të ligjit të BE-së”, shkroi Presidentja Osmani.
Edhe kabineti i kryeministrit Albin Kurti tha se “luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë e shtetit sovran”. “Andaj, askush, dhe në veçanti asnjë zyrtar i nivelit të lartë të BE-së, nuk duhet të përpiqet ta bëjë këtë problem politik apo etnik, dhe asnjë koordinim bilateral s’është i rëndësishëm në këtë rast, sepse luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë tipike e një shteti sovran”, shkroi Luan Dalipi shef i kabinetit të kryeministrit Kurti.
Analistët në Kosovë e kanë cilësuar si të ngutshme të pakuptimtë dhe nxitëse deklaratën e Borrell. 10 policë dhe 10 qytetarë mbetën të lënduar gjatë revoltës së qytetarëve serbë kundër aksionit të policisë së Kosovës në veri. Tetë persona janë vënë në pranga ndërsa 10 të tjerë janë në kërkim. Në shënjestër të sulmeve janë vënë edhe gazetarë.