Aktualitet Rrëfimi i Elena Çamit: Unë, inxinierja ruse që kalova jetën në burgjet...

Rrëfimi i Elena Çamit: Unë, inxinierja ruse që kalova jetën në burgjet komuniste të Shqipërisë

-Dëshmia e rrallë e inxhinieres ruse të naftës që nuk pranoi të largohej pas prishjes së Shqipërisë komuniste me Rusinë, por ndenji pranë burrit e fëmijëve për të sakrifikuar jetën e saj në burgjet e kampet komuniste të kohës.

-Si m’i vunë prangat para djalit që qante dhe më mbajtën në hetuesi 9 muaj që të pranoja se isha spiune ruse. Si më “tradhtuan” miqtë e mi me dëshmitë në gjyq dhe pse vendosa të mos e braktis burrin tim për të shpëtuar veten.

-Bashkëshorti i saj shqiptar Minella Çami, po ashtu inxhinier nafte, u arrestua në valën e arrestimeve për të ashtuquajturin ‘grupi sabotator i naftës’.

-Një jetë e çuar në internim larg dy djemve të saj, të cilët po ashtu vuajtën persekutimin komunist.

Elena Çami lindi më 22 qershor të vitit 1932, në Moskë, Rusi. Më 21 janar 1976, Gjykata e Lartë e deklaroi fajtore për «krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit» dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Më pas ajo jetoi në internim.

Kujto.al sjell të plotë dëshminë e saj nga arkiva e familjes Doko.

“Unë kam lindur në Moskë në vitin 1932. Mbarova gjimnazin, pastaj shkova në universitet për përpunimin e naftës në Moskë. Në vitin 1955 mbarova universitetin edhe erdha në Shqipëri. U martova në Moskë në vitin 1954. Ai ka ikur më përpara, unë kam ikur më vonë se bëri dokumentet. Erdha këtu fillova punën në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në vitin ‘55. Kur kam filluar punë, kam qenë deri në vitin ‘60 në qytetin Stalin pastaj u transferuam për të ndihmuar në ndërtimin e Cërrikut bashkë me Minellën. Nga viti ‘60 deri në ‘71-in kemi qenë në Cërrik duke punuar me forcat tona. Në vitin ‘71 Minella u arrestua për agjitacion e propagandë. Përpara se të arrestohej një javë më përpara ai kishte bërë një propozim në ministri për çmimin “Republikë”. Por nuk ia dhanë çmimin “Republikë”, por i dhanë “çmimin” tjetër me burg. Ai u arrestua për agjitacion e propagandë me 10 vjet burg.

Në vitin 1975 kur u arrestua “grupi i naftës” në Fier, po meqë se jemi naftëtarë, ai nga Ballshi, nga kampi e arrestuan për të dytën herë. E çuan në Tiranë. Në Tiranë e akuzuan për “sabotim dhe spiun rus”.

Ai nuk pranonte akuzën edhe i thanë: “Nëse nuk pranon akuzën ne do të arrestojmë Lenën (mua). Ajo patjetër që do thotë atë që keni bërë ju”. Ai nuk pranonte. Pas dy javësh pa bërë hetuesi, më 14 maj 1975 më arrestojnë mua.

Ku shkova në Ballsh në muajin Prill mua më thanë Minella nuk është në kamp, por do të njoftojmë aty ku është transferuar. Kur ma tha këtë unë mbeta se thashë si ka mundësi që ky është transferuar. Pas hetuesisë së parë nga Burreli e ka transferuar për ndihmës në ndërtim në uzinën e Ballshit. Edhe atje punonte si punëtor, por mendimi i tij jepej si inxhinier. U kthyem prapë në shtëpi ne me djalin, më 14 maj në mëngjes vjen policia edhe më arrestojnë në punë.

Kur u arrestua Minella unë punoja si shefe e planit në përpunimin dhe në nxjerrjen e naftës. Pas 3-4 muajsh më transferojnë si “gruaja e armikut” në Cërrik. Nga konsumi  u transferova në SMT e Cërrikut, atje kam punuar llogaritare. Nuk isha në profesionin tim. Isha në zyrë unë kur më vjen dy persona nga dega, kur i pashë se mendova se do të arrestohesha. Unë me politikën nuk merresha, as kundër shtetit nuk kam folur asgjëkund. Unë që kur erdha në ‘55-ën kisha një detyrë për të krijuar një familje të edukuar, fëmijën e parë e linda në vitin 1955, në 1957 kam lindur djalin e dytë dhe kisha vetëm detyrën për të edukuar fëmijët. Këtë kemi patur ne, nuk kemi patur mendjen te politika. Kur u arrestua Minella, unë nuk kam besuar kurrë që ai merrej me politikë. Kur u bë “grupi i naftës” në fundin e marsit të vitin 1975, u arrestua një shoku jonë i ngushtë, Beqir Alilja, ka qenë drejtor i Institutit të Naftës dhe Gazit në Fier. Gruan e kishte ruse, por ajo ka ikur me dy fëmijët. Iku në Rusi edhe ka shpëtuar nga burgu. Ndërsa unë e kam dashur dhe nuk u ndava nga bashkëshorti, sepse atë kam zgjedhur si bashkëshort për tërë jetën. Nuk e kisha për të kaluar kohën.

Si ndodhi momenti i arrestimit?

Kur më erdhën mua në zyrë më thanë do shkojmë në shtëpi të kontrollojmë shtëpinë. Gjatë kohës që Minella ishte në hetuesi në Elbasan më vinin shumë shpesh mua për kontroll. Kontrollonin librat se kërkonin librat kundër pushtetit. Unë nuk kam patur asnjë libër, deri në vitet ‘60 i kam blerë libra rusë. Ka patur atëherë një dyqan, libraria e rusëve quhej. Pastaj kur u prishën marrëdhëniet unë nuk kam blerë më. Ata vinin, merrnin, çonin në degë, prapë kontrollonin. Kur më arrestuan mua nga zyra dhe më sollën në shtëpi filluan kontrollin. Djali i vogël ishte në gjimnaz te prindërit në Korçë se unë nuk e përballoja dot jetën.

Djali i madh mbaroi gjimnazin dhe filloi në SMT si nxënës. Nga ora 12:00 kishte pushimin dhe erdhi në shtëpi. Kur erdhi në shtëpi u habit sepse prapë dega kishte ardhur për kontroll në shtëpinë tonë. Më tha: “çfarë ka mama?”

– “Nuk e di, i thashë, po kontrollojnë librat”.

I kontrolluan librat pastaj më thanë: “ke plaçka te zyra?’

–“Kam një çantë”, i thashë.

-“Të shkojë dhe ta marrë djali”, tha.

Shkon djali në zyrë dhe në këtë kohë më thotë; “Ti je e arrestuar si armike e popullit”.

-Unë hapa sytë edhe i them;  “Ju të gjithë armiqtë e popullit i keni si unë?

Hetuesi tha: “Ta tregojmë ne”.

Kur erdhi djali në shtëpi, i thashë, “Unë, Alush, jam arrestuar si armik i popullit”.

“Si?”-tha ai? –“Nuk e di, i thashë, asnjë gjë”.

Kur më vunë prangat mua në duar edhe nuk më harrohet ajo skena, djali u përmbys në divan edhe qante. Djali 20 vjeç. Më tha: “Mama ku po shkon ti?” Më dërguan në hetuesi në Tiranë. Hetuesia vazhdoi 9 muaj. Minella gjatë kësaj kohës ishte në hetuesinë e dytë në Tiranë. Hetuesit  më thoshin mua prano ti se Minella e pranoi që ishte spiun rus. Unë i thashë thirreni këtu Minellën të më thotë ai mua në sytë tuaj që është spiun rus. Unë nuk e mbështes më dhe ai nuk do të jetë më burri im. Ata nuk e sollën se nuk ishte e vërtetë. Minellës i thoshin ndryshe se Elena është spiune. Ishte një hetuesi intensive 9 muaj. Pas 9 muajsh s’kishte ç’të bënin më me mua.

Kush ka qenë hetuesi juaj?

Doleres Vele, hetuesi në Tiranë. Donin të më fusnin mua bashkë me Minellën në grupin e naftës. Kur mbarova unë hetuesinë, tha hetuesi; “Na vjen shumë keq Elen po s’kemi ç’të bëjmë, do të dënohesh”.

“Unë e dija që do dënohesha deri sa hyra këtu, por gabimi juaj nuk shlyhet kurrë”, i thashë.

Dola në gjyq me një tjetër shoqe ruse edhe ajo akuzohej me grupin e naftës. Tani është në Moskë ajo. Donin të na fusnin ne në grup pastaj nuk pranonim, as ajo, as unë. U dënuam nga 8 vjet. Akuza ishte agjitacion e propagandë.

Patët dëshmitar në gjyq?

Kishim dëshmitarë. Këta dëshmitarët, njëri ishte Llazar Moçka, kompozitori. Ai tha sikur kam qenë në plazh, ai ishte kompozitor dhe kishte bërë një pjesë muzikore edhe më dha mua leje që ta këndoja. Unë i thashë: “E di që për këto veprimtari muzikore paguhet, ne në Rusi kështu e kemi”. Kjo ishte dëshmia e Llazar Moçkës.

Një shoqe të ngushtë dëshmoi. Edhe asaj burri iu arrestua për agjitacion e propagandë. Ajo nga frika, thoshte, Elena nuk jam e kënaqur sepse ajo rrinte në Amerikë edhe thoshte atje na i sillnin qumështin dhe bukën te dera e shtëpisë, ndërsa këtu duhet të presim radhën. Ishte bashkëbisedim me atë. Një që kam thënë po dhe është politike e pranova unë,  kur u prishën në ‘60-ën marrëdhëniet me Rusinë unë bëra një krahasim dhe e pranoj unë krahasova Shqipërinë me elefantin dhe Rusinë me diçka të vogël. Kjo mund t’i shprehë mendimet e mia politike, asnjë tjetër.

Pasi morët dënimin ku shkuat?

Shkova në kampin Kosova midis Lushnjës dhe Dumresë. Në Kosovë bëra 7 vjet e gjysmë. Nga burgu i Kosovës dola me amnistinë e Enverit në vitin 1982. Ishte amnistia e parë.

Çfarë bënin dy djemtë gjatë kohës që ti ishe në burg?

Dy djemtë e mi kanë vuajtur. Kur mbetën ata të dy shyqyr Zotit i ka përkrahur familja e Minellës, babai dhe mamaja. Djali i madh mbeti pa punë se në Cerrik nuk jetonte dot. Kur u arrestova unë ai pas një viti ka vajtur në ushtri, në Fier dhe Vlorë. Ka vuajtur shumë. E kanë ndjekur atë hap pas hapi, çfarë bënte, çfarë fliste. Kur mbaroi ushtrinë ai nuk u kthye në Cërrik. Të gjithë plaçkat ai i futi në një dhomë. Edhe nuk kishte ku të jetonte edhe ka shkuar te prindërit e Minellës, te gjyshërit. Djali i vogël mbaroi gjimnazin edhe kur kërkonte punë nuk i jepnin punë. Po të duash i kishin thënë puno në ndërtim. Ky pranoi se pa bukë nuk jetohej dot. Shkon në ndërtim në brigadën me llaç.

Atje, siç thonë, Zoti nuk të lë pa njeri të mirë, ishte Edi Kapshtica, i cili kishte mbaruar gjimnazin bashkë me Minellën. Kur shikon djalin i thotë nga je ti? I thotë unë kam lindur në Korçë, por kam jetuar në Cërrik. Po i kujt je ti? I Minella Camit. Edhe ky shkon i thotë drejtorit, ose ma vendos mua këtë djalin në brigadën time, ose unë do ta lë çelësin. Unë djalin në baltë nuk do ta lë. Drejtori tha, meqë Edi ishte specialist i mirë, i tha merre në brigadë edhe ky ka punuar në brigadë më Edin 17 vjet.

Djali tjetër kur ishte  prodhimi shumë i lartë në fermën e Drenovës shkon si vullnetar pa para. Kur punonte atje, punonte me gjithë shpirt. Një brigadier i tha do të punosh në fermë, posi tha. Hyri në fermë edhe atje ka punuar 14 vjet.

Pasi dole nga burgu çfarë pune bëje?

Unë kur dola nga burgu duhet të punoja 4 vjet si e burgosur. Minella u lirua 1 vit e gjysmë përpara meje. Në Korçë nuk më pranonin për punë.

E ka thirrur dega e i ka thënë ne e dimë që ti ke qëndruar në kamp, pasi ke dalë, ti do të bësh një procesverbal. “Çfarë është procesverbali? -“Do punosh me ne”- i thanë.

Ai i tha: “Në familjen time spiunë nuk kemi patur as nuk do të kemi”, edhe ia hodhi atë procesverbalin dhe nuk ia firmosi.

Atëherë ata filluan të sulmonin Minellën. Kur u lirova unë kemi vajtur në Cërrik prapë. Minella u fut në brigadën e SMT-së në mirëmbajtje, ndërsa mua si ekonomiste. Punova 4 vjet dola në pension erdha në Korçë se martuam djalin e madh. Minella punoi në Cërrik deri sa doli në pension”.