Përpara një jave të pandehur ekstremistë të djathtë kanë sulmuar një qendër të sindikatave në Romë. Të shtunën dhjetua mijëra italianë protestuan kundër neofashistëve dhe kërkuan ndalimin e partisë Forza Nuova.
Dhjetra mijëra vetë u mblodhën në manifestimin antifashist në Romë. “Kurrë më fashizëm: për punë, bashkëvendosje dhe demokraci” ishte motoja e manifestimit, që u organizua nga aleanca e sindikatave të Italisë CGIL, CISL dhe UIL. Në manifestim, sipas mediave, morën pjesë mbi 50.000 vetë. Organizatorët bëjnë fjalë për 200.000 pjesëmarrës.
Sipas të dhënave të sindikatave ishin vënë në dispozicion rreth 800 autobusë dhe dhjetë trena të posaçëm në mbarë Italinë, për t’i sjellë pjesëmarrësit në manifestimin e protestës në Romë. Me flamuj dhe pankarta mijëra përkrahës të sindikatave dhe grupe të ndryshme të majta marshuan në rrugët përreth drejt sheshit të manifestimit në “Piazza di San Giovanni in Laterano” jo larg Koloseut.
Sekretari i sindikatave Maurizio Landini tha në manifestim, se ka ardhur koha “të ndalet dhuna politike”. “Grupet neofashiste duhet të ndalohen dhe madje menjëherë“.
“Por fillimisht na duhet edukim antifashist në shkolla”, tha studentja Margherita Sardi për agjencinë e lajmeve AFP.
Para një jave anëtarët e partisë ekstremiste të djathtë Forza Nuoava (FN) pas protestave armiqësore kundër shtrirjes së masave ndaj koronavirusit në Itali ndër të tjera sulmuan selinë e sindikatës CGIL. Pas trazirave policia arrestoi dymbëdhjetë vetë ndër ta edhe sekretarin e përgjithshëm të partisë Forza Nuova, Roberto Fiore dhe kryetarin e degës së partisë për Romën Giuliano Castellino. Gjatë protestave në kryeqytetin italian pati edhe përleshje me policinë. Gjatë trazirave u plagosën 40 vetë, sikurse njoftuan mediat.
Në Itali që nga dita e premte, të gjithë të punësuarit duhet të paraqesin një “certifikatë të gjelbër” që vërteton vaksinimin ndaj koronavirusit, ose shërimin nga infeksioni me koronavirus ose duhet të paraqesin një test negativ nëse duan të vazhdojnë punën. Në rast të kundërt ata përballen me sanksione. Kush nuk paraqitet në punë, sepse nuk posedon dokumentin e kërkuar duhet të llogarisë me pushim nga puna. Testet ndaj koronavirusit janë falas për njerëzit, të cilët për arsye shëndetësore nuk mund të vaksinohen. Detyrimi për certifikatë vaksinimi prek në Itali rreth 23 milionë të punësuar.
Socialdemokratët (PD) kërkojnë ndalimin e partisë Forza Nuova. PD paraqiti në senat dy ditë përpara sulmeve kërkesën përmes së cilës i kërkohet qeverisë të ndërmarrë hapat për shpërbërjen e Forza Nuova dhe të partive të tjera fashiste. Sikurse njoftoi PD të shtunën (16.10), ndërkohë 100.000 vetë kanë nënshkruar një peticion përkatës. Të tjerë senatorë kanë paraqitur kërkesa të ngjashme. Pas trazirave të një jave më parë prokuroria ka nisur hetimet.
Manifestimi masiv i protestës së të shtunës përkoi me 78 vjetorin e sulmit të nazistëve ndaj getos së Romës. Mbi 1000 hebrenj, ndër ta 200 fëmijë, më 16 tetor 1943 në të gdhirë u grumbulluan me forcë dhe u deportuan në kampin e përqendrimit Auzhvic.