Colin Powell, i pari person me ngjyrë në historinë e SHBA i emëruar Sekretar Shteti, ka ndërruar jetë si pasojë e ndërlikimeve për shkak të Covid-19, tha familja e tij. 84-vjeçari ka qenë një figurë e rëndësishme në formëzimin e politikës së jashtme amerikane gjatë administratave republikane në 20 vitet e fundit.
Powell ka shërbyer si ushtar, duke u dalluar gjatë Luftës së Vietnamit. Më pas u bë i pari person me ngjyrë në SHBA që merrte postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, në fund të presidencës së Ronald Reagan dhe afro-amerikani i parë që mori postin e Shefit të Shtabit në kohën e presidentit George H.W. Bush.
Popullariteti i tij u rrit ndjeshëm pas fitores në Luftën e Gjirit, dhe për një periudhë në mesin e viteve 1990, u konsiderua edhe për të kandiduar për president.
Por reputacioni i tij do të njollosej përgjithmonë kur, në rolin e Sekretarit të Shtetit në administratën e presidentit George W. Bush, mbështeti para Organizatës së Kombeve të Bashkuara informacione të gabuara për të mbrojtur Luftën në Irak.
Edhe pse nuk kandidoi kurrë për Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2001, kur bëri betimin si Sekretar Shteti, u shndërrua edhe në zyrtarin më të lartë me ngjyrë në SHBA, si edhe i katërti në radhë për të marrë postin e presidentit. Gjatë viteve të mëvonshme pas largimit nga postet publike, ai u distancua nga Partia Republikane dhe do të mbështeste Partinë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të fituara nga Barack Obama.
Ai la pas bashkëshorten, Alma Vivian (Johnson) Powell, me të cilën ishte e martuar në vitin 1962, si edhe tre fëmijë.