Kryetari i PD, Lulzim Basha ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të selisë blu. Basha njohu gazetarët me 3 vendime që ishin miratuar gjatë këtij takimi. Bëhet fjalë për depozitimin në Kuvend të 3 ndryshimeve kushtetuese për disa çështje të ndryshme.
Së pari, Basha njoftoi se do të kërkohet zhbërja e ndryshimeve kushtetuese më 30 korrik dhe do të kërkohet miratimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore. Po ashtu, ai paralajmëroi një amendament për Vettingun e politikanëve dhe ndryshimi i tretë sipas Bashës ka të bëjë me hapjen e rrugës për Reformën Territoriale.
Sa i përket Vettingut të politikanëve Basha tha se është i bazuar tek rekomandimet e Komisionit e Venecias. Po ashtu, ai shtoi se kjo është e domosdoshme për Shqipërinë. Sipas Bashës, këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme brenda vetë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar.
“Respektojmë edhe kërkesën për proporcionalitet, duke kërkuar që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e SPAK. Të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreu të shtetit dhe krerët e institucioneve të tjera të pavarura për lidhje të papërshtatshme, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortakët e tyre. Është pikërisht Komisioni i Venecias ai që ka shtruar rrugën dhe ka bërë të qartë se në cilën rrugë duhet ecur. Shqipëria e ka të domosdoshme Vettingun e politikanëve. Do të shikoni nga amendamentet se Vettingu ka të bëjë me një dëshirë mbarëpopullore nga socialistë dhe demokratë, nga njerëz të thjeshtë të këtij vendi që të kemi një politikë pa lidhje me krimin, një politikë dhe politikanë që arrijnë të përligjin pasurinë”., tha Basha.
Kryetari i PD-së mohoi që të ketë pazare me mazhorancën për Vettingun politik.
“Ne e kemi thënë, unë e kam thënë dhe e përsëris. Jem në atë Kuvend edhe pas masakrës menjë qëllim, që të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë dhe legjitimitetit. Ndryshimet iu shërbejnë shqiptarëve. Janë për Shqipërinë dhe shqiptarët jo për PD. Nuk bëjmë pazar dhe s’futemi për pazar. Këto janë çështje të rëndësishme për shqiptarët”, tha Basha.