Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është diskutuar edhe mbi çështjen e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi i PD-së. Ka qenë deputetja Flutura Açka e cila ka hapur diskutimin për këtë çështje, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes së shumë demokratëve; nëse është me Berishën apo me Bashën.
“Më pyesin në takime demokratët, a je me Bashen apo Berishën? A duhet të rikthehet “berishizmi në PD? Unë mendoj se PD duhet t’i kthehet ndryshimit”, tha Açka, e cila hasi në reagimin e deputetes Albana Vokshi e cila shtoi se: “Nuk e vendosim ne në këtë forum nëse berishizmi kthehet apo jo, nuk e vendosim ne këtë. Por është baza ajo që vendos!”.
Pas kësaj ka reaguar kreu demokrat Lulzim Basha i përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të hedhë në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Ai theksoi se nuk do të lejojë akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga SHBA.
Basha ka thënë se lideri historik i demokratëve “po kërkon ta lidhë shpalljen e tij “non grata” me fatin e Partisë Demokratike”. Kryedemokrati Basha është shprehur se nëse Sali Berisha ka një plan, ai është shndërrimi i PD-së në një bunker antiamerikan për interesat e tij.
Fjala e plotë e Lulzim Bashës: Nuk e kam parë të arsyeshme të reagoj kundër spekulimeve, gënjeshtrave e shpifjeve të ulëta ndaj meje me të cilat po bombardohet prej disa javësh anëtarësia e Partisë Demokratike dhe opinioni publik. E kam përjashtuar dhe vazhdoj ta përjashtoj nga axhenda ime investimin e kohës dhe energjive në shfaqje publike me “më the, i thashë, e më tha” brenda llojit, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndryshojnë natyrën e përballjes politike në Shqipërinë e sotme të njëmijë e një problemeve dhe halleve që kanë qytetarët e thjeshtë: nga përballje të opozitës me qeverinë e shndërrojnë në hidh e prit të ish-kryetarit historik Sali Berisha me kryetarin e rizgjedhur vetëm para katër muaj me parimin një anëtar një votë, që jam unë.
Këtë kënaqësi apo dhuratë, Edi Rama me bandat e tij nuk do ta ketë kurrë nga unë. Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës 8-vjeçare apo 16-vjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në Partinë Socialiste, që sot i recitojnë të zemëruarit dhe të keqkuptuarit me vendimin tim për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së me kërkesën e SHBA për shkak të shpalljes së tij “non grata” prej tyre.
E kam shpjeguar kontekstin dhe barrën e këtij akti ditën që e shpalla. Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve.
Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizmin e demokracisë në vend.
Orientimi perëndimor, proamerikan, euroatlantik e proeuropian janë për Partinë Demokratike më shumë se përcaktime në statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj. Vota e anëtarësisë së Partisë Demokratike me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orientim, ta mbrojmë atë. Po lëshuam këtë busull nuk jemi më Partia Demokratike.
Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi. Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij “non grata” me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverisë amerikane për shpalljen e tij “non grata”. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA.
A nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. Kjo është pa asnjë perspektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë.