Në një intervistë të re, këngëtarja Selena Gomez ka ndarë detajet e marrëdhënies së saj me Instagram-in dhe tregoi se si arrin të qëndrojë larg botës virtuale.
Mediat sociale dihet se janë toksike për shëndetin tonë mendor. Nga përballjet e pashëndetshme që bëjmë me miqtë tanë dhe influencer-at që ndjekim, te varësia që ata u imponojnë mbi miliona përdoruesve të aplikacioneve; një detoksifikim total mund të jetë një mënyrë efektive për të ndryshuar jetën tuaj. Dhe Selena Gomez është dëshmi e gjallë e kësaj.
Si një nga njerëzit më të ndjekur në Instagram, këngëtarja është e vetëdijshme për peshën që ka media sociale në jetën e përditshme dhe shëndetin. Për këtë arsye, vitet e fundit, Selena Gomez ka vendosur të bëjë pushim nga platformat sociale, duke u ndarë nga Instagram & Co për shumë muaj, duke lënë që profili të menaxhohet nga menaxheri i saj. Tani, këngëtarja e “Lose You To Love Me” ka treguar më në fund dhe për herë të parë momentin në të cilin zgjodhi të largohej nga rrjetet sociale.
Në një intervistë për WWD, Selena Gomez foli kur mori vendimin për t’u distancuar nga Instagram.
E gjitha filloi rreth tre vjet më parë, kur kangëtarja vuri në dyshim nevojën e vazhdueshme për të qenë në çdo kohë, si dhe fluksin e informacionit dhe vëmendjen teleskopike, dhe shpesh negative, ndaj jetës së saj private.
“Për të qenë e sinqertë, në fillim thjesht po mendoja; Ka shumë informacion për mua. Një pjesë e mirë të jetës sime personale ishte përhapur kudo, dhe gjithçka më dukej e pakontrollueshme”.
“Mendova se mendimet e mia dhe gjithçka që bëja vërtiteshin rreth një milion njerëzve të ndryshëm në të gjithë botën duke thënë gjëra të mira dhe të këqija për mua”, shpjegoi Selena Gomez.
“Dhe mendova që unë nuk fitoj asgjë nga kjo. Asnjë nga këto nuk më kënaq vërtet. Kështu, në një gjendje zemërimi dhe zhgënjimi, e fshiva veten nga rrjetet sociale”.
Selena Gomez shpjegoi se fillimisht ajo donte të fshinte plotësisht profilin e saj në Instagram, por ekipi i saj e bindi që të mos e bënte dhe për fat të mirë, duket se ka funksionuar shkëlqyeshëm.
“Jam e kënaqur që nuk e bëra, sepse është një mënyrë e mrekullueshme për të qëndruar në kontakt me të tjerët. Dhe tani kur hap profilin tim në Instagram më bën të lumtur të di se në internet jam plotësisht e sinqertë dhe besnike ndaj personit që jam në realitet”.
Duke përfunduar intervistën, Selena Gomez pranoi se një jetë e lirë nga mediat sociale nuk ka qenë gjë tjetër veçse e dobishme për të.
“Largimi nga media sociale ka qenë një pjesë e madhe dhe domethënëse e rrugëtimit tim drejt shëndetit të mirë mendor për t’u bërë personi që jam tani”.
“Unë nuk jam në dijeni të asaj që po ndodh në kulturën pop dhe kjo më bën vërtet të lumtur. Ndoshta kjo nuk është e vërtetë për të gjithë, por për mua, distancimi nga rrjetet sociale më ka shpëtuar vërtet jetën”.