Kryeministri Rama përsëriti qëndrimin se është krenar për patronazhistët e Partisë Socialiste, të cilët përmenden si një çështje që duhet të hetohet në progres-raportin e Komisionit Europian.
Sipas kreut të qeverisë, një infrastrukturë të tillë e ka çdo parti europiane dhe shtoi se fitorja e mandatit të tretë i dedikohet veçanërisht punës së patronazhistëve.
“Që nga SHBA-ja, në Britani, në Europën Perëndimore dhe atë Lindore, nuk ka parti pa patronazhistë. Mund të kenë emra të ndryshëm, por patronazhimi është infrastruktura e një partie për të fituar zgjedhje. Dhe unë jo jam krenar për patronazhistët, por jam edhe më krenar. Pa ta ne nuk do të ishim një makineri e pathyeshme, por do të ishim një foltore. Raporti flet për pretendime që po hetohen. Dhe natyrisht të hetohen deri në fund. Këtu nuk ka pasur asnjë problem me asnjë të dhënë personale. Karta jonë e identiteti është një targë me një numër që nuk ka brenda asgjë, nga të dhënat sensitive. Targat kanë qenë në internet prej vitesh. Së treti, ato nuk duhen në punën e patronazhistëve. Jam krenar për patronazhistët”, tha Rama.