Pushim nga puna në vend, pa mundësi për të apeluar. Nik Roloviç, trajner i skuadrës së Uashington Stejt Universiti në futbollin amerikan, është shkarkuar nga detyra, duke prishur kështu kontratën e vlefshme deri në vitin 2025. Një pushim nga puna i cilësuar i drejtë, pasi ai kishte refuzuar disa herë të vaksinohej, ndërkohë që është nëpunës shteti.
Rasti i tij është marrë në shqyrtim nga një minikomitet i përbërë nga dy persona, që ka votuar menjëherë për shkarkim nga puna pa dashur të dijë se kush ishte personi, por thjesht është bazuar në dokumentet që dispononte. Roloviç ka sqaruar se e kishte marrë vendimin për të mos u vaksinuar në bazë të bindjeve të tij fetare, por drejtori i repartit atletik të universitetit dhe rektori vendosën për shkarkimin e tij, duke marrë në konsideratë faktin se ai ka kontakt direkt me shumë persona.
Me vendimin e tij, Roloviç ka humbur një pagë prej 3 milionë dollarësh në vit, që e shumëzuar për 5 (kohëzgjatja e kontratës deri në 2025), bën mbi 12 milionë euro, por këtu duhet hequr pjesa që i takon fillimit të këtij sezoni, kështu që shifra e humbur nga trajneri shkon në rreth 11 milionë euro.
Përveç Roloviç, janë pushuar edhe 4 nga asistentët e tij, të gjithë “no vax”. Lojtarëve u është lejuar të qëndrojnë në skuadër, edhe pse nuk janë të vaksinuar, por ata nuk janë nëpunës shteti. Më 18 tetor, pas vendimit të guvernatorit Xhei Insli, në shtetin e Uashingtonit është bërë e detyrueshme vaksina për të gjithë ata që punojnë në shtet. Trajneri nga ana e tij është mjaftuar duke thënë se “nuk e ka për zakon të detyrohet të bëjë gjëra vetëm se ia thotë dikush”. Me shumë mundësi, Roloviç tani do të ndjekë rrugët ligjore.
Për sportet e tjera, duhet thënë se NFL-ja nuk i imponon lojtarët dhe trajnerët të vaksinohen, por ndryshe nga viti i kaluar, nuk do të ketë shtyrje ndeshjesh për shkak të Covid-it. Në NBA është i njohur tashmë rasti i Kyrie Irving, “no vax”, i lënë jashtë skuadre nga Bruklin Nets. Edhe në hokej ka rregulla shumë të forta për të pavaksinuarit.