Ish-lojtari i Romës është gjithnjë e më shumë vendimtar në mekanizmat e Inzaghit. Në krahasim me belgun, peshorja (të paktën deri tani) anon shumë nga ana e bomberit nga Sarajeva.
Të gjithë zikaltrit po kapen te supet e Edin Dzeko. Me të Interi ka një start mjaft të mirë në Serie A. Boshnjaku spikat në momentet e vështirësisë (si në rastin e përmbysjeve ndaj Veronës, Fiorentinës, Atalantës dhe Sassuolos), si dhe gjen forcën t’i kthejë të tijtë në krye të Ligës së Kampionëve. Thënë ndryshe, Lukaku është harruar plotësisht, veteran ka rezultuar një blerje e goditur.
Ai është arma më autentike e zikaltërve, i mirë për të gjitha rastet dhe pavarësisht nga ndryshimet e formës. Ta thuash këtë ke me vete para së gjithash numrat, përtej dashurisë që fansat i kanë treguar tashmë dhe rolit qendror që Inzaghi i ka “qepur” atij.
Ai që ishte shqetësimi kryesor në fillim të sezonit, pas largimit të Lukakut, doli të ishte një nga siguritë më të mëdha të këtij Interi të ri, i detyruar të rizbulonte veten midis fantazisë dhe domosdoshmërisë. Tani është nën komandat e Edin, pasi boshnjaku ka fituar kryesisht “gradat” në 11 paraqitjet e para me zikaltrit.
KRAHASIMI
Numrat flasin vetë. Për boshnjakun janë tashmë 7 gola dhe 2 asiste në 11 paraqitjet e para midis Serie A dhe Ligës së Kampionëve. Një “plaçkë” e shoqëruar me 9 nga 11 paraqitjet si titullar. Jo keq për një sulmues 35-vjeçar, i cili ka pasur gjithmonë një prezencë të fortë deri më tani. Mbi të padyshim kishte shumë mosbesim, veçanërisht në lidhje me nuhatjen e golit.
Për të rritur më tej performancën e Dzeko, edhe përtej numrave tashmë elokuentë, është krahasimi me Interin e parë të Lukakut. Një paralelizëm që, çuditërisht, flet në favor të boshnjakut në të gjithë treguesit kryesorë.
Në 11 ndeshjet e tij të para zyrtare me Interin, belgu kishte shënuar më pak (5 gola në total), për më tepër pa shërbyer asnjë asist (kundër 2 asisteve të Dzeko). Të dhënat në lidhje me pjesëmarrjen si titullar dhe minutat janë pothuajse identike, por edhe ky është në avantazh të ish-lojtarit verdhekuq, i ngarkuar nga bukuria e shtatë viteve të tjera në Serie A. Logjikisht, nuk bëhet fjalë për të përcaktuar se kush është më i fortë apo më funksional midis të dyve, por më tepër të kuptosh se sa shumë mund të japë Dzeko për Interin.
Në këtë kuptim, deri më tani boshnjaku ndoshta i ka tejkaluar pritshmëritë, duke ndikuar drejtpërdrejt në të paktën dy raste (kundër Atalanta dhe Sassuolo) dhe duke ndërprerë agjërimin e gjatë të zikaltërve në Evropë, me golin e parë ndaj Sheriff Tiraspol.
Në të njëjtën periudhë kohore, megjithatë, Lukaku ishte vendimtar vetëm në një rrethanë, në suksesin në fushën e Cagliari në javën e dytë të kampionatit, kur realizoi me penallti. Me pak fjalë, nëse dita e mirë duket në mëngjes, “martesa” mes Dzeko dhe Interit është e destinuar të japë shumë fryte të tjerë, ndoshta edhe më të ëmbël se ato të ditëve të belgut.