Manchester United ka arritur një fitore me shumë vuajtje ndaj Atalantës, në ndeshjen e luajtur në “Old Trafford”.
Pas një pjese të parë aspak të mirë, ku pësuan dy gola nga Pasalic (15’) dhe Demiral (29’), “Djajtë e Kuq” u kundërpërgjigjën në të dytën, duke shënuar 3 herë e duke marrë pikët e plota, që e dërgojnë ekipin e Solskjaer në vendin e parë të grupit F.
Rashford (53’), Maguire (75’) dhe Cristiano (81’) ishin autorët e golave për ekipin anglez.
Ndërkohë, Juventus fitoi në Rusi ndaj Zenit me rezultatin e ngushtë 1-0, me golin e shënuar nga Kulusevski në minutën e 86 të ndeshjes.
Bardhezinjtë renditen në vendin e parë të grupit H, me pikë të plota pas 3 ndeshjeve, të ndjekur nga Chelsea, me 6 pikë. “Blutë” e Londrës fituan 4-0 ndaj Malmo, me golat e shënuar nga Christensen, Havertz dhe dy herë Jorginho (në të dyja rastet me 11-metërsh).
Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Bayern Munchen ndaj Benfica, në Portugali. Sane me dy gola, Lewandowski dhe autogoli i Everton i dhanë 3 pikët bavarezëve, të cilët kryesojnë grupin e tyre me pikë të plota.
Në ndeshjet e tjera, Barcelona mposhti 1-0 Dinamon e Kievit, Salzburg mundi 3-1 Wolfsburg, Lille dhe Sevilla u ndanë në barazim 0-0, ndërkohë që Villarreal fitoi në Zvicër 4-1 ndaj Young Boys.