Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka njoftuar se do të lançojë një platformë të re rrjetesh sociale që do të quhet TRUTH Social.
Sipas tij, ajo do të ketë në qendër “kundërvënien ndaj tiranisë së gjigandëve të mëdhenj”, duke i akuzuar për “mbytjen” e zërave kundërshtues.
“Krijova Truth Social për t’i bërë ballë tiranisë së gjigandëve të mëdhenj të teknologjisë. Ne jetojmë në një botë ku talebanët lejohen në Twitter, por Presidentit tuaj të preferuar amerikan i kanë mbyllur gojën. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Donald Trump.
Trump Media & Technology Group, të cilin ai drejton, planifikon edhe një shërbim me pagesë të përmbajtjeve vizuale në televizor. Një version beta i TRUTH Social do të jetë i disponueshëm në Nëntor për ata që do të ftohen në të, ndërsa është njoftuar se do të përhapet për të gjithë globin në tre muajt e parë të vitit 2022.
Pasi u përjashtua nga platformat sociale si Facebook dhe Twitter, Trump ka bërë përpjekje për krijimin e një media sociale rivale. Këtë vit ai nxori From The Desk of Donald J Trump, që u klasifikua si një blog por u mbyll përkohësisht në më pak se një muaj.