Policia e Durrësit ka finalizuar mëngjesin e sotëm operacionin e koduar “Porosia”, në kuadër të operacionit janë vënë në pranga Granit Kerxhaliu, 35 vjeç, banues në Kukës dhe Behar Lleshi, 57 vjeç, lindur në Kosovë dhe banues në Londër.
Aksioni i policisë ka nisur pas informacioneve që kishte për këta persona se kishin kaluar mallra kontrabandë në portë, si medikamente, kamera sigurie dhe Rapid Test Antigen.
Teksa dy të arrestuarit kanë qenë duke udhëtuar me një mjet furgon tip “Mercedes Benz”, autoritetet kanë vendosur që të ushtrojnë një kontroll dhe kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të ndryshme mjekësore, kamera sigurie dhe Rapid Test Antigen.
Më tej u vunë në pranga dhe Artan Topuzi, 58 vjeç dhe Enkel Shehi, 52 vjeç, me detyrë doganier. Dy doganierët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollin e imtësishëm të mjetit ku u gjetën mallrat kontrabandë.