Dy ditë ka zgjatur megaoperacioni i policisë i koduar “Qafa e Helmit” për të goditur kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, FNSH, DVP Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe SHÇBA, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Aksioni u zhvillua në qytetet Lezhë, Tiranë, Shkodër dhe Durrës dhe është finalizuar me arrestimin e 9 personave, 2 në arrest shtëpie dhe 4 në kërkim.
Në arrest me burg janë lënë Leon Ndrecaj alias Gjin Ndrecaj 40 vjeç, Leonard Kola alias Nardi Kola 33 vjeç,
Zef Lalaj 47 vjeç, Ilir Prengaj alias Paulin Gjoni 35 vjeç, Ylli Veshi, 34 vjeç, Gjin Kola alias Edi Kola, 35 vjeç,
Aleks Këdheli 35 vjeç, Tanush Lekgegaj 45 vjeç dhe Miri Rrapi 35 vjeç.
Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për dy S. M. alias S. L., 17 vjeç dhe E. S., 17 vjeç, të dy banues në Dom, Pukë.
Ndërsa janë shpallur në kërkim 4 persona, T. Sh., 33 vjeç, banues në Lezhë, G. M., 31 vjeç, banues në Kalivac, Ungrej, Lezhë, G. S., 44 vjeç, banues në Dom, Pukë (të tre me masë “Arrest në burg”) dhe D. L., 17 vjeç, banues në Dom, Pukë (me masë “Arrest në shtëpi). Vijon intensivisht puna për kapjen e tyre.
Gjithashtu, Gjykata ka vendosur lejimin e kontrolleve në banesa dhe ambiente të ndryshme të shtetasve N. N., M. N., A. V. dhe V. D., si dhe të shtetasve të arrestuar, në Lezhë, Tiranë, Shkodër, Pukë, Durrës.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 qese me fara kanabis, një shumë Eurosh dhe një automjet.
Ky operacion është në vijim të operacionit policor “Qafa e Helmit 1”, i zhvilluar në muajin Gusht 2021, nga ana e Drejtorisë Hetimore, si rezultat i të cilit janë asgjësuar 4000 rrënjë kanabis sativa.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar që ky grup kriminal ka organizuar kultivimin e bimëve narkotike në Mirditë, në zonën e fshatit Arëz, Kaçinar, në zonën midis fshatrave Perlat i Epërm dhe Lufajt dhe në Pukë, në vendet e quajtura Qafa e Helmit, fshati Shkozë, Gomsiqe dhe Plet.
Nga ana e Drejtorisë Hetimore në lidhje me këtë procedim janë arrestuar më parë edhe shtetasit:
– P. L., 45 vjeç, të cilit i janë sekuestruar 37 kg e 450 cannabis sativa;
– H. M., 53 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, të cilit i janë sekuestruar 12 kg cannabis sativa;
– N. C., 64 vjeç, banues në fshatin Plet, Pukë, të cilit i janë sekuestruar bimë narkotike të kultivuara në territorin e banesës.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë gjetur vendin ku kryhej përpunimi i bimëve narkotike në mes të pishave në fshatrat Gomsiqe e Pletë të Pukës, ku u sekuestruan 28.73 kg cannabis sativa që u gjetën në një vend të përshtatur në formë kasollesh, të mbuluar me plastmas.
Gjatë hetimeve ka rezultuar që në këtë veprimtari ka të implikuar edhe punonjës policie, për të cilët veprimet procedurale i ndjek SHÇBA.
Të gjitha materialet për ekzekutimin e këtij vendimi i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për veprime të mëtejshme.