Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë buxhet bashkiak nuk do të kalojë pa parashikuar edhe koston e pastrimit.
Në mbledhjen e zhvilluar në Kryeministri me krerët e bashkive, Rama nënvizoi se në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë do të jetë e pranishme edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Rama ishte i ashpër me kryebashkiakët përsa i takon pastrimit të qyteteve, duke përjashtuar vetëm Lezhën dhe Korçën si ndër të vetmet bashki që janë kampione sa i përket pastërtisë.
“Qeveria do të ndërhyrë drejtpërdrejtë, asnjë buxhet i asnjë këshilli bashkiak nuk do të kalojë në rast se në atë buxhet nuk do të jetë të parashikuar sipas kostos për të cilin qeveria e Shqipërisë do të punojë për ju, pastrimi”, u shpreh Rama.
“Do ishte mirë që kryetarët e bashkive as të mos e ndërmarrin fare hapin, që t’i çojnë këshillit projekt-buxhet ku pastrimi dhe dalja përfundimit nga kjo epokë të mos jetë parashikuar në buxhet”, tha ai më tej.
Kreu i qeverisë sqaroi se asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të menaxhojnë mbetjet e përditshme nga ana financiare.
“Sikur i gjithë buxheti i bashkisë të shkojë për pastrimin do shkojë për pastrimin, asnjë gjë tjetër nuk është më e rëndësishme sesa pastrimi”, tha ai më tej.
Kryeministri nënvizoi se bashkitë nuk kanë të drejtë të japin asnjë leje në rrugët kombëtare.
“Në shkelje të plotë të atij ligji që është shkelur me 4 këmbët në të shkuarën, 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare nuk mund të zhvillohet asgjë. Kemi bregdetin që është bërë problem i madh dhe do të jetë problem më i madh se çdo vit edhe më shumë rritet numri i turistëve”, tha ai.