Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar dozën e tretë të vaksinës për qytetarët mbi 60 vjeç. Ditën e sotme, ky komitet ka vendosur pas mbledhjes që zhvilloi se ata persona mbi 60 vjeç që kanë marrë të dyja dozat e para të vaksinës, duke filluar nga 1 nëntor të vaksinohen me dozën e tretë.
Për t’u vaksinuar janë ftuar edhe fëmijët mbi 16 vjeç sipas rekomandimeve të mjekëve pediatër, por edhe ata fëmijë 12-15 vjeç që janë të sëmurë.
“Komiteti i Ekspertëve të vaksinimit sugjeron që do të vazhdojë të mbetet prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës për ata që nuk e kanë bërë. Njëkohësisht vendos që qytetarët që janë mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë të vaksinës jo më herët se 6 muaj që kanë bërë dozën e dytë duke filluar nga data 1 Nëntor. Fëmijët mbi 16 vjeç do ftohen për t’u vaksinuar me rekomandimin e mjekut të familjes ose pediatër duke filluar nga data 1 Nëntor. Do ftojmë për vaksinim edhe fëmijët që janë 12-15 vjeç që paraqesin sëmundje të uljes së imunitetit”, u shpreh kryetarja e komitetit, Mira Rakacolli.
Sa i përket masave anti-Covid, do të vijojnë të mbeten në fuqi ato që janë.
“Komiteti i Ekspertëve mendon se niveli i masave shtrënguese do të mbetet i njëjtë. Ajo që Komiteti tërheq vëmendjen është zbatimi me rigorozitet i tyre”, tha Rakacolli.