Një sherr i kohëve të fundit duket se është bërë shkak për vrasjen e biznesmenit Demir Backa në Fier. Sipas Klan News, Backa është konfliktuar me disa persona të rrezikshëm në këtë qytet, për shkak të mbesës së tij.
Ende nuk dihen detajet e këtij konflikti, por mësohet se autoritetet kanë marrë në pyetje familjarët e viktimës për zbuluar të gjithë zanafillën.
Një nga pistat e hetimit është ajo e hakmarrjes, por ende po hetohet nëse biznesmeni ka pasur probleme të tjera. Po ashtu Demir Backa është edhe vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën, ndaj po hetohet dhe për ndonjë konflikt të vjetër.
57-vjeçari u vra gjatë një atentati me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në Fier. Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e rrugës së vjetër që lidh qytetin e Fierit me Vlorën, pranë një qendre tregtare dhe mësohet se është qëlluar me breshëri automatiku brenda kësaj makine Audi.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por burime nga vendi i ngjarjes konfirmuan se Demir Backa, i cili ndryshe njihej edhe si Dem Backa, kishte dalë nga një kafe aty pranë dhe sapo kishte hipur në automjetin e tij kur është qëlluar me breshëri automatiku.
Policia e Fierit njoftoi një natë më parë se autorët kanë qëlluar nga një makinë tip Benz në lëvizje, por duke shënjestruar mirë objektivin e tyre.
Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën të cilat pasi mbërritën në vendin e ngjarjes e gjetën 57-vjeçarin ende me shenja jete. Pak momente pas ngjarjes policia gjeti një mjet të djegur në afërsi të fshatit Daullas, pranë spitalit Memorial të Fierit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e këtij atentati.