Grabitet nga 10 persona të armatosur biznesmeni në Fushë-Krujë, dhunohet dhe lidhet. Momenti kur grabitësit futen në banesë, vjedhin 100 mijë euro
Biznesmeni Nazim Çangu është dhunuar dhe grabitur mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në Nikël të Fushë-Krujës.
Ngjarja ka ndodhur në orën 1:00 të natës.
Biznesmeni, i cili ka një lokal në zonë dhe merret me bujqësi, ka rrëfyer se kanë qenë 10 persona ata të cilët iu janë futur në banesë me dhunë dhe i kanë marrë 100 mijë euro.
Familja ka qenë për darkë tek një mik dhe janë kthyer rreth orës 23:00 dhe rreth orës 01:00 të natës grabitësit kanë hyrë në banesë ku i kanë gjetur familjarët në gjumë.
Grabitësit e maskuar pasi kanë mbyllur në një nga dhomat e banesës gruan dhe 4 fëmijët, kanë marrë biznesmenin të cilin e kanë rrahur, dhunuar dhe gjuajtur me qytën e armës duke e larë në gjak për t’i dhënë çelësin e kasafortës ku mbante paratë dhe sendet me vlerë.
10 grabitësit kanë marrë para kesh dhe florinj që arrijnë vlerën e mbi 100 mijë eurove.
Biznesmeni Nazmi Çangu ka rrëfyer grabitjen dhe dhunën që ka ndodhur ndaj tij nga 10 persona të armatosur dhe të maskuar
“Nga 1993-2007 kam punuar në policinë e shtetit dhe pastaj në policinë e Durrësit. Më pas më hoqën për punë partie. Kam shkolluar fëmijët me djersë dhe i bëj thirrje shtetit dhe prokurorit të përgjithshëm dhe ambasadës amerikane se këtu nuk jetohet, kur të vijnë në dorë të shtëpisë, ç’të mendosh për vende të tjera. Bëj thirrje të gjendet autori, më kanë prerë gishtin, më kanë çarë në kurriz, më rrahën, kam fraktura gjithandej. Këtu nuk jetohet më”, tha i dhunuari.
Ai trego edhe tmerrin e grabitjes kur tha se ishte në gjumë dhe në momentin që hapi sytë ka parë automatikun në kokë dhe më pas është dhunuar.
Ai thotë se ishin 10 persona që kishin rrethuar të gjithë shtëpinë.
“Nuk e mbaj mend orën sa ka qenë, ishim për një darkë me familjen dhe kemi ardhë, rreth orës 11 të darkës, rreth orës 2 më kanë ardhur 2 vetë në krevat, isha në gjumë dhe më tha policia e shtetit, i hapa sytë dhe kur mu ul njëri kishte një xhup të zi si një xhup polici, dhe tjetri kishte një triko dhe i thashë: Çfarë policie jeni ju, pastaj më vunë automatikun, më gjuajtën sa deshën, u përlesha me dy, më prenë gishtin dhe më kërkuan çelësin e kasafortës, kishin mbyllur brenda dhe kalamajtë. Kërkuan sërish çelësin e kasafortës. Njëri hipi te rafti, gjeti një qese që kishte te 8 mijë euro, aty mori edhe çelësat, ku ishin edhe çelësat e kasafortës. Kishte dhe një kaçavidë, e hapën dhe morën ca deshën. Kanë qenë 10 vetë. Më thanë jemi 10 vetë, të kemi rrethuar shtëpinë. Edhe familjarët i kanë keqtrajtuar, të gjithë”, tha ai.