Arma që vrau drejtoreshën e fotografisë Halina Hutchins në xhirimet e filmit “Rust” dhe plagosi regjisorin Joel Souza në New Mexico ishte përdorur disa orë më parë nga anëtarët e ekuipazhit me municion të vërtetë.
Sipas një burimi të cituar nga faqja “The Wrap”, arma, së bashku me të tjera, është përdorur për të bërë “plinking”, një term që përdoret për të përcaktuar aktin e gjuajtjes së kanaçeve të birrës ose objektivave të tjerë me plumba të vërtetë për të kaluar kohën.
Këtë shpjegim të asaj që ndodhi tashmë e kishte publikuar ditët e fundit faqja “Tmz”, por tashmë e vërteton edhe dëshmia e një “insider”. Alec Baldwin e ka gjetur veten duke përdorur pa e ditur një armë që ishte mbushur gabimisht. Ndihmësi i parë i drejtorit David Halls kishte konfirmuar se ishte një “pistoletë e ftohtë”, që do të thotë se nuk përmbante municion të vërtetë.