Një tank autentik që duket se nuk ka ndërmend të ndalojë. Është ky Bayern Mynihu i magjistarit Julian Nagelsmann. Deri më tani në Europë nuk ka bërë askush më mirë se ta, me një mesatare që sa vjen e bëhet më e madhe pas çdo sfide.
“Shënuam katër gola dhe e gjithë bota u dëfrye”. Ishin këto fjalët e Robert Lewnadowskit pas fitores 4-0 ndaj Hoffenheimit, në Bundesligë. Në fakt, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në ndeshjen e Championsit kundër Benficas apo një javë më parë në kampionatin gjerman kundër Bayer Leverkusenit.
Bayerni është një rul që i shtyp me gjithë forcë të gjithë rivalët që i dalin përpara, me ndonjë përjashtim të rrallë. Përfaqëson ekipin tipik gjerman, filozofinë e një skuadre që nuk dorëzohet e as toleron në fushë.
Nga fitorja në fitore, futbollistët e drejtuar nga Julian Nagelsmann mund të shënojnë katër, pesë… aq gola sa duan. Deri në këto momente, asnjë ekip në ligat kryesore europiane nuk i afrohet rekordit të kampionëve në fuqi të Bundesligës. Në 12 ndeshje mes Bundesligës dhe Championsit kanë shënuar 45 gola. Mesatarisht 3.7 gola për ndeshje.
Deri më tani, asnjë ekip nuk ka arritur të shënojë 33 gola në nëntë ndeshjet e para në kampionatet respektive. Fitorja më e thellë e Bayernit në kampionat është arritur ndaj Bochumit, 7-0. Një fakt për të kuptuar aftësinë shënuese të ekipit bavarez mjafton të kujtojmë që në 56 ndeshjet e fundit të Bundesligës ata kanë shënuar gjithsej 174 gola.
Fillimi i sezonit të Bayernit është me një ritëm të shfrenuar. Pengesat e vetme ishin Gladbachu, me të cilin barazoi në ndeshjen e parë të kampionatit (1-1) dhe Eintrachti i Frankfurtit, që e mposhti 1-2 “Allianz Arena”. Të tjerat janë vetëm fitore.
Edhe më e mirë është paraqitja në Kupat e Europës. Bayern në Champions Leaguen e këtij sezoni është thjeshtë fenomenal. Në tre sfida ka shënuar 12 gola, pra një mesatare prej 4 golash për ndeshje.
Lewandowski, një nga kandidatët për Topin e Artë, po tregon arsyen e nominimit të tij. Fitoi Këpucën e Artë sezonin e kaluar me 41 gola, duke thyer rekordin e Gerd Mullerit (40 gola) për numrin e golave gjatë një sezoni në kampionat.
Në sezonin aktual ka arritur kuotën e 17 finalizimeve në vetëm 13 ndeshje në të gjitha garat, me një mesatare prej 1.30 gola për ndeshje.