Bota Një fitore për shekullin e 18, anija me vela kap narko-nëndetësen

Një fitore për shekullin e 18, anija me vela kap narko-nëndetësen

Një fitore e vogël e teknologjisë së shekullit XVIII kundër shpikjeve kriminale të fundshekullit XX. Një varkë e madhe me vela, që i përket Marinës së Ekuadorit arriti të kapte javën e kaluar një të ashtuquajtur narko-nëndetëse, një mjet lundrimi të prodhuar në mënyrë artizanale për të transportuar lëndë narkotike.

Sipas ushtrisë ekuadoriane, aksioni antidrogë u realizua në oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kolumbisë. Ushtria njoftoi se varka me vela, e cila përdoret zakonisht për t’u mësuar bazat e lundrimit kadetëve, pikasi një narko-nëndetëse në ujëra ndërkombëtare mes zonave ekskluzive ekonomike të Kolumbisë dhe Ekuadorit.

Brenda saj, ndodheshin 3 kolumbianë dhe 1 ekuadorian, të cilët u arrestuan, por nuk u dha një shifër sa i përket sasisë së lëndës narkotike të sekuestruar.

Anija me vela, 78 metra e gjatë, kishte dalë në det për kurs, kur pikasi nëndetësen dhe e detyroi të ndalonte. Anija, e quajtur “Guayas”, ka 36 detarë si pjesë të ekuipazhit dhe mund të mbajë deri në 80 kadetë.

Shumica e narko-nëndetëseve janë në fakt varka me pjesën e sipërme të mbuluar, që arrijnë të qëndrojnë gjysmë të zhytura. Ato u shpikën nga kartelet kolumbiane të drogës në fund të viteve 1990, si mënyrë për të shmangur patrullat amerikane.