Dairo Antonio Usuga i njohur me pseudonimin “Otoniel” është konsideruar nga autoritetet si trafikanti më i madh i lëndëve narkotike në Kolumbi për rreth 7 vite. Ai u arrestua të shtunën në një operacion të madh nga forcat e sigurisë në një zonë xhungël të Kolumbisë veriore. Mirëpo arrestimi i tij nuk është se do të ketë ndonjë efekt të madh në trafikun e kokainës në botë.
Operacioni përfshiu 500 forca speciale dhe 22 helikopterë, kjo pasi ushtria ishte e vendosur të shkatërronte organizatën e tij kriminale. Kjo organizatë ishte prezente në 1/3 e territorit të Kolumbisë dhe përfshinte rreth 3,800 anëtarë dhe kishte kapacitetin për të prodhuar dhe eksportuar qindra ton kokainë në vit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.
Me ekstradimin e Uslugës në ShBA për t’u përballur me akuzat, policia dhe ushtria thonë se ka mundësi që ai të zëvendësohet në këtë klan. Pavarësisht vdekjeve dhe arrestimeve të drejtuesve të mëparshëm të këtij klani, ka shumë persona që presin për t’u bërë lider, thonë analistët.
“Arrestimi i Otoniel, nuk do ta zhdukë problemin e trafikimit të drogës, ashtu si vdekja e Pablo Escobar që nuk e ndali trafikimin e drogës”, tha këshilltari i sigurisë John Marulanda.
Presidenti Ivan Duque tha se ka në plan të rifillojë tymosjen ajrore për prishjen e këtyre bimëve, i cili ishte hequr që nga viti 2015 për arsye shëndetësore.
“Ne kemi në plan të vazhdojmë të luftojmë ‘Clan del Golfo’, dhe nuk do të ndalojmë derisa organizata të prishet”, tha Gjenerali Fernando Murillo.
Arrestimi i “Escobar 2” mund ta shpërbëjë organizatën në grupe më të vogla dhe mund të shkaktojë luftë të brendshme mes tyre, thonë forcat e sigurisë.