Humbja në shtëpi ndaj Sassuolos, e cila erdhi pas barazimit me penallti në frymën e fundit ndaj Interit, në fakt vërteton lamtumirën përfundimtare të Juventusit nga titulli, madje vë në pikëpyetje edhe vendin e katërt.
Ajo që është shqetësuese, ndoshta edhe më shumë se rezultatet, identifikohet te mefshtësia e disa lojtarëve kyç të Juventusit, si Juan Cuadrado dhe veçanërisht Federico Chiesa. Të dy, deri pak muaj më parë përfaqësonin të vetmet siguri, mbi të cilat mund të ndërtohej e ardhmja fituese.
Kolumbiani, i cili mbushi 33 vjeç majin e kaluar, ndoshta e paguan mungesën e qartësisë për shkak të gjendjes fizike jo optimale, aq sa Allegri e ka dozuar me pikatore javët e fundit. Një shenjë se gjendja nuk është ajo e ditëve më të mira. Nga ana tjetër, Chiesa, pas një fillimi të mirë, e nisi nga pankina kundër Milanit dhe Interit, duke marrë përsipër të dyja herët gjatë ndeshjes, por pa ndikuar.
Edhe më keq shkoi mbrëmjen e së mërkurës kundër Sassuolos, kur, i rreshtuar në rolin e tij të natyrshëm, Chiesa e sakrifikoi bujarisht veten si gjithmonë në fazën mbrojtëse, por nuk u pa asnjëherë përpara, ose pothuajse. Ndoshta i rraskapitur nga puna e tepruar që kërkon Allegri, ose ndoshta i hutuar nga ndryshimet e vazhdueshme të pozicionit: krahu i djathtë, krahu i majtë, sulmues i dytë dhe madje i parë.
Në prag të ndeshjes, pasi i kishte “tundur shkopin”, Allegri përdori “karrotën” me Chiesa, duke shpenzuar fjalë të rëndësishme ndaj tij në konferencën për shtyp: “Për mendimin tim ai është një lojtar i nivelit ndërkombëtar, ka luajtur shumë ndeshje dhe ka një lloj konsumimi fizik. Nuk është se Chiesa kundër Interit shkoi në pankinë për keq”.
Shifrat, megjithatë, thonë se në 9 javët e para të kampionatit, Chiesa ka shënuar vetëm një gol, ndaj Spezia, tashmë më shumë se një muaj më parë, dhe ka asistuar Locatellin në derbi. Këtu duhet shtuar edhe goli i mrekullueshëm ndaj Chelsea në Champions. Më pas errësirë, ose pothuajse, edhe për shkak të ndonjë problemi fizik që nuk e lejonte të stërvitej vazhdimisht.
Ndjenja, me pak fjalë, është se ky aktuali është hija e lojtarit të admiruar në pjesën më të mëdha të sezonit të kaluar dhe kampionatit të fundit evropian. Një lojtar që këtij Juventusi i mungon tmerrësisht