Replika të forta janë shënuar në parlament mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Kryetari i PD-së e akuzoi kreun e qeverisë për tenderat e rindërtimit.
“Tarifat e tenderave mbi 1 milion euro i ndan ti, nën 1 milion euro ua ndan këtyre të tjerëve. Ty nuk të pëlqejnë tenderat për projekte të financuar nga BE-ja, se aty nuk e vendos dot ti tarifën. Merri letrat e tenderave, ndoshta i ka djegur “Tigri”, por aty shikon se nuk ka konkurrencë, se i ke përcaktuar ti”, tha Basha.
Ndërkohë nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama u përgjigj duke i thënë që të bëhet burrë dhe se “nuk del dot nga zyra të takosh partinë tënde”.
Edi Rama: Kur vihesh përballë akuzash të tilla, është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, jo barra e të akuzuarit të provojë që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet. Por zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij proverbiale në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjesht. Po sikur fondet e vëna në dispozicion për rindërtimin e shkollave nga BE në raport me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për rindërtimin e shkollave të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim se sa fondet e qeverisë. Çfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf që sapo u var në foltoren e Kuvendit. Po sikur të gjitha investimet e qeverisë për shkollat të jenë më të ulëta se sa investimet e bëra nga programi i BE për të njëjtat standard dhe kritere? Çfarë i mbetet parafolësit. I mbetet ajo që i ka mbetur gjithnjë, humbja. Humbja që i ka në konstitucionin e vet të mënyrës së të qëndruarit në skenën politike qysh në ditën e parë. Humbja që e përgatit me gjuhën, dhe me qëndrimet e veta çdo ditë. Mua fondet e BE më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë. I jam mirënjohës jo vetëm BE, por gjithë partnerëve që na ndihmuan dhe na ndihmojnë në këtë proces.
Atë fjalën hajdut që të ka mbirë në majë të gjuhës gëlltite brenda, bëji gjuhës në kthesë të thellësisë së ezofagut dhe kur flet këtu mate mirë kur flet për hajdut. Dhe mate mirë kur flet për lejet e ndërtimit që shpërndahen në zyrën e kryetarit të Bashkisë. Mati mirë këto dhe bëhu burrë njëherë të paktën. Të ka ardhur shansi, por nuk e shfrytëzon.
Zotrote nuk takon as partinë tënde sot. Nuk del dot nga zyra të takosh partinë tënde dhe më tregon mua që të jesh pranë njerëzve. Nuk ma tregon mua, por të paktën dilu zot njerëzve të tu se i ke 95% se i ke të tutë dhe mos hajde këtu të bësh leksione morali. Nuk ta ka borxh njeri Lulzim. Arsyeja pse ti nuk fiton, nuk janë as kriminelët, as bosët, arsyeja pse nuk fiton je ti se me këtë mënyrë të folurit nuk të beson askush. Ndrysho sa nuk është vonë dhe ta kam thënë herë tjetër, jam këtu për të respektuar këtë institucion, për të të respektuar edhe ty me partinë tënde, por që kjo parti është partia më e bukur e lindjes? ”Give me a break”. Ti mund të jesh mister Lindja sot, por lind më në fund. Lind edhe mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelenat e mjekut. Bëhu burrë dhe mos hajde këtu me dëngla, me akuza, me shpifje, me baltë me llum, por hajde me argumente”.