Deputeti Tomor Alizoti është shprehur se Partia Demokratike po shkon drejt një çarje në dy kampe, ata që mbështesin Sali Berishën dhe ata që mbështesin Lulzim Bashën.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Alizoti tha se brenda partisë ka një tension dhe bëri thirrje për një zgjidhje konsensuale që PD të mos përçahet më tej.
“PD është drejt çarjes. Personat që janë pjesë e konfliktit kanë përgjegjësi historike mbi këtë parti e cila përfaqëson ata që nuk jetojnë më, ata që jetojnë sot dhe ata që do jetojnë nesër”, tha Alizoti.
I pyetur se si mund të zgjidhet kjo krizë, Alizoti tha: “Ata që janë përgjegjës të krizës, konfliktit mund të bëjnë hapin e parë që ta ulin krizën. Sepse pozicionet janë shumë të ashpërsuara, sepse që të dyja palët mendojnë që kanë të drejtë. Këta të dy mund të ruajnë që PD të mos çahet. Pastaj PD ka nevojë për alternativë, ka nevojë për ideologjinë që nuk e ka patur dhe nuk ka. Nuk e definojmë dot PD është e majtë apo është e djathtë. PD duhet të ketë elitat e saj dhe duhet të ketë një garë serioze”.